Qeveria ndryshon nenet e kodit rrugor

14/07/2010 21:15

Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshimet në disa nene të kodit rrugor, duke katërfishuar gjobat për shkeljet që mund të bëjnë drejtuesit e automjeteve gjatë qarkullimit rrugor.

Konkretisht, për ata drejtues që thyejnë kufijtë maksimalë të shpejtësisë me jo më shumë se 10 km në orë ishte maksimumi 2 mijë lekë dhe bëhet nga minimumi 2 mijë lekë në tetë mijë lekë.

Cilido që tejkalon shpejtësinë me jo më shumë se 20 km në orë ndëshkohet nga katër mijë deri në 16 mijë lekë, ndërsa në kodin e vjetër gjoba ishte nga një mije deri në katër mijë.

Cilido që shkel rregullat e përparësisë, si për shembull në kryqëzime apo për sensin djathatas do të marrë sipas kodit të ri gjobën nga dy mijë deri në tetë mijë, ndërsa maksimali i gjobës me kodin e vjetër ishte 2 mijë lekë.

Për shoferët që shkelin sinjalistikën apo nuk ecin sipas orientimit të policisë do të gjobiten nga dy mijë deri në tetë mijë lekë, ndërsa gjoba e vjetër ishte dy mijë lekë.

Po kështu, katërfishimi i gjobës nga dy mijë lekë deri në tetë mijë lekë është edhe për parakalimet e gabuara, përdorimi pa vend i ndryshimit të sinjalizimit.

Gjoba të kripura janë vendosur për shoferët që drejtojnë mjetin në gjëndje të dehur. Ajo ishte maksimumi dhjetë mijë lekë dhe bëhet nga minimumi dhjetë mijë lekë në maksimumi 40 mijë lekë.

Për ata që nuk ndalojnë pas aksidentit, kur ai është vetëm me dëme materiale, gjoba shkon nga katër mijë lekë deri në 16 mijë lekë dhe pezullim leje drejtimi.

Top Channel