Gazetarët, letër presidentit

13/07/2010 16:10

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, që reklamohet si organizata më e madhe e gazetarëve profesionistë në vend, i ka drejtuar një letër të hapur Presidentit të Republikës, Bamir Topi në lidhje me cështjen gjyqësore që ish-ministri i Kulturës Ylli Pango ka me Top Channel.

Në shkallën e parë trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Agim Bendo e penalizoi Top Channel me 400 mijë euro për dhunim të privacisë së ish-ministrit të Kulturës Ylli Pango. Zoti Pango ishte filmuar nga ‘Fiks Fare’ në banesën e tij, duke i kërkuar favore seksuale një vajze të cilës i kishte premtuar se do ta merrte në punë. Shoqata e gazetarëve vë re se vendimi dhe gjoba prej 400 mijë eurosh kanë hapur debate të fuqishme interpretimi në komunitetin e juristëve dhe sidomos kanë shkaktuar një jehonë të madhe ndërkombëtare, duke u vlerësuar si një përplasje me kontekste jo profesionale mes gjyqësorit dhe mediave të vendit.

Në letrën e tij Unioni i gazetarëve shqiptarë kujton peticionin e një pjesë të gjyqtarëve të gjykatës së Tiranës, në të cilin ata denoncojnë sipas tyre “presionin që ‘Top Channel’” bën mbi gjyqtarin Bendo dhe gjykatën. Sipas arsyetimit të shoqatës së gazetarëve, ky akt sindikal i gjyqtarëve në fjalë ka krijuar një konflikt të hapur interesi me çdo çështje të mundshme gjyqësore apo procese që mund të ketë “Top Channel” dhe gazetarët e kompanisë mediatike “Top Media”, apo edhe gazetarët në përgjithësi.

Ndaj në përfundim Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i kërkon Presidentit, me cilësinë e tij si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që të ndikojë për një proces të drejtë, në mënyrë që në ecurinë e mëtejshme të procesit, asnjë prej gjykatësve nënshkrues të peticionit të sipërpërmendur të mos ketë lidhje me këtë proces dhe të shmangen ndikimet e drejtpërdrejta apo të tërthorta që ata mund të kenë mbi kolegët e tyre, që do ta gjykojnë çështjen në Apel.

Ndërkaq vendimi i gjyqtarit Bendo po merret në analizë nga studiues dhe teoricienë të medias dhe drejtësisë. Në cdo rast, kundër këtij vendimi janë shprehur organizata të ndryshme ndërkombëtare, si Federata Botërore e Gazetarëve, Reporterët pa Kufi, etj. Ndaj sipas Unionit gazetarëve cështja po listohet si një marrëdhënie keqfunksionuese mes dy pushteteve në shoqërinë e sotme demokratike shqiptare, gjyqësorit dhe gazetarisë investigative.  

Top Channel