Botërori e dha leksionin

13/07/2010 12:00

Puna e kujdesshme në ekipet zinxhir, programimi, përkujdesja për detajet. Këtyre u shtohen besimi te të rinjtë, dëshira për të rrezikuar dhe gjetja e një ekuilibri ndërmjet traditës dhe modernes.

Botërori në Afrikën e Jugut dha verdiktet përfundimtare: në futbollin e niveleve të larta nuk ka shumë hapësira për improvizim, apo për të gjithë ata që nuk duan të rinovohen.

Nuk është e rastësishme që tre skuadrat e para (Spanja, Holanda dhe Gjermania) janë vendet që më shumë se të tjerat në Europë punojnë me plane të qarta: çdo gjë nis nga të rinjtë, nga baza. E nëse, ashtu si në rastin e Spanjës ose Gjermanisë, ke zotësinë dhe fatin të ndërtosh një brez me talente të rinj, rezultatet nuk do të mungojnë. Mbi të gjitha, Botërori 2010 ka evidentuar rënien e yjeve, lojtarëve nga të cilët pritej më shumë, duke ofruar një përfundim që nuk mund të anashkalohet: lojtarët më të mirë në botë janë të sfilitur në fund të sezonit dhe në qershor nuk mund të bëjnë mrekulli në fushën e lojës.

Mbi të gjitha nëse duhet të mbajnë “në krahë” një skuadër të tërë, ashtu si ndodhi me Kristiano Ronaldon, Runin apo Mesin. Ndoshta nuk është rastësi që goli vendimtar në finalen e Johanesburgut u realizua nga Andres Injesta, që kishte pësuar një dëmtim mjaft serioz dhe u detyrua të qëndronte për afro dy muaj pa u aktivizuar dhe u shfaq më i freskët se të gjithë yjet e tjerë.

Akademitë e Barcelonës dhe Realit të Madridit, por edhe ato të Valencias dhe Seviljas, i kanë dhuruar Spanjës skuadrën e parë kampione të botës. Nga ekipet zinxhir, talentet iberikë kanë gjetur hapësira në ekipet e para, ku drejtuesit gjetën kurajon t’i promovojnë, t’i presin të rriten dhe t’i mbështesin.

Përveç elementëve si Injesta, Ksavi apo Fabregas, të cilët mbajnë “markën” e Barcelonës, nuk duhet harruar se Iker Kasijas ka fituar Champions-in e parë me Realin në moshën 19-vjeçare, ndërsa Sergio Ramos debutoi në La Liga kur ishte vetëm 17 vjeç. Tashmë që është në kulmin e tij, ky brez me lojtarë nga 25 deri në 30 vjeç ka mbi shpinë mijëra ndeshje të nivelit të lartë dhe tregoi se si Kupa e Botës mund të fitohet me autoritet. Kjo pavarësisht faktit se në të gjitha ndeshjet, duke filluar nga 1/8-at e deri në finale, ata kanë arritur fitore minimale (1-0). Triumfi është i merituar, edhe pse Spanja e vitit 2010 është përfaqësuesja që ka triumfuar në botëror duke shënuar më pak gola se fitueset e tjera: vetëm 8. Nuk është e thënë që loja e bukur prodhon një “mal” me gola, sepse edhe ekuilibrat brenda skuadrës janë një virtyt i paçmueshëm.

Ky ishte edhe edicioni i Gjermanisë së re në moshë dhe multietnike. Skuadra e Joakim Lëv ishte më spektakolarja me lojën e saj, me tri gjysmësulmuesit (Myler, Ëzil dhe Podolski) që kanë krijuar raste të shumta për shënim, duke i dhuruar kënaqësinë e 4 golave edhe Kloses. Fakti që Myler mori çmimin si “Lojtari më i Mirë i Ri” i turneut dhe atë të golashënuesit më të mirë (pesë gola ashtu si Vija, Shnajder e Forlan, por me më shumë asiste), konfirmon një mentalitet fitues: vetëm përpara një viti ai luante me të rinjtë e Bajernit të Mynihut, njësoj ashtu siç ndodhte me Pedron e Barcelonës. Holanda u prezantua me një skuadër me pak të rinj, por shumë të balancuar dhe me një punë kolektive që deri diku arriti të mbulonte problemet në repartin difensiv. Në finale nuk arritën të bënin më tepër se mundësitë e tyre, por dolën me kokën lart, pasi u mposhtën me meritë nga Spanja. Në triumfin e “Furisë së Kuqe” meritë të padiskutueshme kanë Ksavi dhe Injesta, dy mesfushorë universalë, me aftësi që askush nuk mund t’i kopjojë. Lojtarët e Barçës ishin shtyllat kryesore të skuadrës së Del Boskes: duke kombinuar dhe manovruar mes shumë kundërshtarëve, pavarësisht fizikut të vogël (të dy janë nën 170 centimetra) dhe pa muskuj. Spanja, kampione e vitit 2010, na mësoi më së miri se si mund të luhet një model i ri futbolli: me teknikë, shpejtësi dhe gëzim. Një futboll për njerëz normalë dhe jo për atletë të programuar në kompjuter. Një futboll me lojtarë të talentuar, me të rinj të Mijëvjeçarit të Tretë.

Top Channel