OSSH, 72 orë afat për “borxhlinjtë”

26/06/2010 09:00

Sektori elektrik në vend problemin më të madh e ka me faturat e papaguara të energjisë, shkaktuar nga mentaliteti dhe mundësia ekonomike.

Për operatorin privat të Shpërndarjes (OSSH), nuk ka asnjë rëndësi se çfarë mendojnë konsumatorët, mjafton të respektohet kontrata, që për mallin e shërbyer, të bëhet pagesa.

Me nivelin aktual të vjedhjes së energjisë, me një mal me borxhe nga faturat e papaguara, OSSH nuk i mbetet të nisë aksionet në zonat kryesisht periferike.

Burime zyrtare nga kompania thonë për “Shqip”, se brenda dy muajve të fundit janë trajtuar në prokurori dhe gjykatë, rreth 250 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.
 
“Për herë të parë në faturën e energjisë elektrike ka nisur të aplikohet njoftimi i situatës debitore. Çdo klienti, OSSH i vendos përbri faturës edhe situatën me borxhin”, thotë Ermal Murati, përgjegjës në OSSH sa u takon arkëtimeve. Sipas tij, çdo konsumatori të energjisë elektrike i dërgohet një letër-njoftim, ku vihet në dijeni për situatën debitore.

“Brenda 72 orësh nga marrja e kësaj letre, konsumatori duhet të mbërrijë në zyrat e OSSH për të bërë pagesën. Për të përfituar nga mundësia e shlyerjes së detyrimit me këste, konsumatori duhet të tregojë vullnet se do t’i paguajë faturat”, thotë Murati.

Pas 72 orësh nga njoftimi dhe pa zgjidhje të problemit, ndërhyn njësia e zbatimit, duke pasur parasysh se kontrata ka titull ekzekutiv. Sipas tij, pagesa me këste nis me 50 për qind dhe zbret deri me 10-5 për qind, në varësi të shumës dhe marrëveshjes.

OSSH deklaron se nga muaji qershor, do të vihen në dijeni për detyrimin rreth 150 mijë konsumatorë, në mënyrë që të mos gjenden të papërgatitur për çdo ndërhyrje nga ana e CEZ. Sakaq, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes po përgatitet për masat e ekzekutimit për 50 mijë familje brenda një kohe të shkurtër.

Për të sensibilizuar abonentët për pagesat e faturave, OSSH krijoi grupe të gatshme terreni, në mënyrë që të verifikonin situatën me vjedhjen e linjave, si dhe zhvillimin e takimeve direkt me konsumatorët. Një pjesë e mirë nuk i paguajnë faturat duke dhënë si përgjigje mungesën e matësit, kurse të tjerë prej paaftësisë ekonomike.

OSSH krijoi 6 grupet e para, të përbëra nga tre anëtarë, e më pas në qershor e çoi në 11, ndërsa si plan ka zgjerimin e Task-Forcës deri në 15 grupe, për të gjithë Shqipërinë. Mesatarisht, një grup bën 25 ndërhyrje në terren çdo ditë, pra shkëputje të linjës së abuzuesit.

Anëtarët e grupit përbëhen nga elektricistë dhe inxhinierë, përfshi në ndonjë rast edhe jurist, pasi ka të bëjë me shpjegimin e kontratës dhe marrëdhëniet që duhet të ketë me institucionet e gjyqësorit dhe prokurorisë.

Në llogaritjet që u bënë në fund të 2009, OSSH ka një borxh të akumuluar prej 28 miliardë lekësh, prej të cilave 3.2 miliardë lekë janë borxhe të subjekteve jobuxhetore dhe 1.3 miliardë lekë të atyre buxhetore, deklaroi pak kohë më parë kompania, tashmë në pronësi prej 85 për qind të aksioneve nga CEZ.

OSSH nuk jep të dhëna rreth nivelit të arkëtimeve pas rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe aksioneve në terren, por shton se situata është drejt përmirësimit.

Top Channel