Brace: Mafiet e huaja, investime në Shqipëri

26/06/2010 20:15

Deputeti Erjon Brace ka zbardhur pjesë nga raporti i shërbimit sekret të bërë dy ditë më parë në një seancë të rezervuar, në komisionin e sigurisë.

Brace ka deklaruar se raporti i SHISH tregon se në Shqipëri ekonomia po manipulohet nga organizatat kriminale, që sipas tij duan të riciklojnë paratë e fituara nga trafiku i drogës.

“Tre ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë, SHISH bëri një raportim të saktë në të cilin konkludohet se, disa narkotrafikantë shqiptarë në Amerikën Latine po përpiqen të përfshihen në Shqipëri për të ricikluar paratë e kokainës”, ka pohuar Brace.

Brace ka theksuar se rrezik vjen edhe nga falsifikimi i parave, të cilat sipas tij kanë si destinacion tregun shqiptar dhe atë evropian.

Sipas tij, sherbimi sekret ka ofruar gjithashtu të dhëna që flasin për investime në Shqipëri të parave të organizatave mafioze italiane dhe ruse.

“Organizata mafioze Ndrangheta, përmes lidhjeve të saj bankare po synon të bëjë investime në fushën e ndërtimeve në Shqipëri. Gjithashtu, Shqipëria është në fokusin e investimeve të dyshimta ruse, ndërkohë që elementë të krimit të organizuar izraelit synojnë tregun shqiptar të lojrave të fatit”, ka nënvizuar Brace.

Deputeti socialist ka shtuar më tej se qëllimi i grupeve të krimit të organizuar mund të jetë blerja e aksioneve të ndërmarrjeve në krizë.

Top Channel