Bendo bashkon gazetarët

25/06/2010 17:30

Unioni i gazetarëve ka mbledhur në një tryezë sot në hotel “Tirana” gazetarë, juristë e konstitucionalist, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar mbi çështjet e privacisë në raport me investigimin gazetaresk në emër të të mirës publike.

Duke marr shkas nga vendimi i gjyqtarit Agim Bendo, i shoqëruar me një gjobë 400 mijë euro ndaj Top Channel, personat në tryezë kanë deklaruar se mbi çdo pretendim për privacinë mbizotëron e drejta e publikut për të denoncuar abuzimin e zyrtarëve me pushtet, ndërkohë që gjykata hapi një preçedent të rrezikshëm për lirinë e mediave.

“Duhet parë gjithmonë çfarë ndodh brenda mureve të shtëpisë. Bëhet jetë normale familjare apo ajo shndërrohet si një zgjatim i zyrës së tij ku atë çfarë nuk e bën dot në zyrën publike e bën në këtë aneksin privat që shndërrohet në aneksin e zyrës publike. Mendoj se duhen trajtuar ashtu gjithë çështjet në lidhje me gazetarinë. Gjithmonë duhët të na udhëheq kriteri i së vërtetës”, është shprehur Andrea Stefani.

“Nëse kjo çështje do të shkojë në Strasburg pa frikë mund të themi se çështja të cilën zoti Bendo dhe disa kolegë morën atë vendim që morën, padyshim që çështja do të shkojë në favor të medias. Është për të ardhur keq që gjykatësit shqiptarë humbën edhe një shans tjetër historik për të bërë atë që bëjnë kolegët e tyre në Europë”, deklaroi Sokol Balla.

“Ne nuk kemi këtu privatësi. Nëse ministri ose çdo politikan tjetër e kthen shtëpinë e tij në zyrë shteti, ky nuk është faji im që është shkelur privatësia nga vetë i zoti i shtëpisë. Në ligjet shqiptare ka vetëm një nen për privatësinë, sipas të cilit transmetimi i aspekteve të jetës private përbën shkelje të privatësisë”, deklaroi Çakuli.

Një shqetësim i gazetarëve që është mbështetur edhe nga Vjollca Meçaj, drejtore ekzekutive e Komitetit të Helsinkit dhe i argumentuar nga një prej konstucionalistëve më të vjetër në vend, Njazi Jaho.

“Vihet në diskutim çdo veprim që bën edhe presidenti, edhe kryeministri, edhe një ministër dhe shtetasit kanë të drejtë të diskutojnë dhe marrin informacion nëse ata e ushtrojnë drejt ose jo pushtetin e tyre”, është shprehur Meçaj.

“Unë do mendoja që çështja si kazuz nuk ishte e nevojshme t’i jepej si rast në fakultet studentëve, sepse është shumë e lehtë dhe duhej zgjedhur një kauz tjetër më e vështirë. Sikur kërkesa e Pangos të ishte refuzuar nga gjykata e apelit dhe gjykata e lartë, nuk besoj së Pango çështjen do ta dërgonte në Strasburg”, tha Jaho.

Vetë gazetarët kanë dhënë edhe propozimet e tyre:

“Ne si komunitet gazetarësh duhet të mendojmë se çfarë masash duhet të ndërmarrim. Ne propozojmë që në ditën kur të zhvillohet proçesi në gjykatën e apelit, ne do të bëjmë manifestim. Ftojmë edhe qytetarët. Ne kemi bërë shumë protesta, por të veprosh përpara një gjykate është një gjë e veçantë dhe e rëndë”, theksoi Mentor Kikia.

Liria e medias nuk cënohet kur cënohet një individ apo një institucion, prandaj Top Channel do ta ndjekë këtë çështje jo vetëm se është shkelur e drejta e gazetarëve të tij për të informuar dhe për të denoncuar abuzimet me pushtetin, por është cënuar dhe intimiduar çdo gazetar për të ushtruar i lirë profesionin. Unioni i gazetarëve ka kërkuar ndihmën e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve për të asistuar dhe monitoruar nga afër të gjithë proçesin.

Top Channel