“Pango”, Marku: Nuk ka liri të pakufizuar

24/06/2010 21:35

“Nuk ka liri të pakufizuara në demokraci”. Me këto fjalë deputeti i PD, Mark Marku, dikur gazetar, ka komentuar skandalin me ish-ministrin e Kulturës Ylli Pango, për denoncimin e të cilit Top Channel u gjobit nga gjykata e Tiranës me 400 mijë euro.

“Për shkak të një lirie të pakufizuar ne nuk duhet të shkelim disa liri të tjera, si privatësinë. Balanca është prishur në këtë pikë. Gazetaria moderne ndryshon nga ajo autodidakte pasi merr persipër përgjegjësinë për atë që bën. Papërgjegjshmëria është këtu, se ka një kufi ku ne mund të ndërhyjmë në jetën private të individit”, ka deklaruar Marku.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Marku ka nënvizuar se gazetarët duhet të bëjnë një dallim mes jetës publike dhe asaj private të një zyrtari. Sipas tij, për të arritur një qëllim nuk duhet përdorur cdo mjet.

“Duhet të bëjmë dallimin e sferës publike me atë private. Në rastin e Pangos, problemi nuk është tek gazetari, por në momentin kur hyn në banesën e tjetrit. Askush nuk ka të drejtë të hyjë në banesën e tjetrit. A kemi ne të drejtë që për një raportim të përdorim të gjitha mjetet?”, është shprehur Marku.

Ai ka shtuar më tej se filmime si ato të bëra nga emisioni “Fiks Fare” në shtëpinë e ish-ministrit Pango, gjykata e Shqipërisë, ashtu si dhe ato ndërkombëtare, nuk merren si prova.

“Gjykata shqiptare, ashtu si dhe gjykatat e tjera në botë, ka atë që filmimet e tilla mund të jepen në televizion por nuk mund të merren si provë, pasi ka mënyra manipulimi”, ka shtuar Marku.

Top Channel