Rregullorja, debate të ashpra PD-PS

23/06/2010 15:35

Afati ligjor për votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për vendet vakant në Gjykatën e Lartë është tejkaluar për t’i lënë kohë ndryshimit të mënyrës së votimit: nga votim i fshehtë, në votim të hapur.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin është mbledhur 5 herë për këtë cështje, larg syve të kamerave. Të vetmet imazhe janë tre foto, thuajse identike, të publikuara nga vetë Kuvendi.

Por nga proces-verbali i mbledhjes së pestë, i siguruar nga Top Channel, del qartë thelbi i debatit, që është më shumë politik se juridik. Deputetët e shumicës thonë se votimi i hapur do t’i shërbejnë transparencës, kurse deputetët e opozitës thonë se kjo është një mënyrë për të kontrolluar politikisht votën e deputetëve, nisur edhe nga votimi i fundit per Vangjel Kosten, ku me votim te fshehte rezultuan disa vota ne favor te tij e ku ne nje tjeter votim te ardhshem, bashkimi i tyre me ato te opozites mund te permbyse vullnetin e mazhorances.

“Ju mund të keni arsyet tuaja, se nuk kontrolloni dot politikisht votat e mazhorancës, por askund, si rezultat i këtij moskontrolli, nuk gjendet një artific për të imponuar këtë kontroll, aq më tepër kur kjo jep rezultate që, nga moskontrolli i votave të një subjekti apo të një grupi politik, të kalojë në kontrollin politik dhe partiak të institucioneve kushtetuese”, është shprehur në mbledhje kreu i grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruci.

Paskësaj fjalën e merr deputeti demokrat Ilir Rusmali, kryetar i Komisionit të Ligjeve. Ai bën një apologji të gjatë të votimit të hapur.

“Zonja Kryetare, nuk ka asnjë lloj ndarjeje midis votimit të fshehtë dhe votimit të hapur nga pikpamja e Kushtetutës.Votimi i hapur në rastin e dekreteve konkretë të Presidentit të Republikës është një akt i fortë përgjegjshmërie, që ne duhet ta kishim realizuar edhe kohë më pare”, është shprehur Rusmali.  

Demokrati Eduart Halimi kujton se mënyra e kalimit të dekreteve të presidentit në Shqipëri është marrë nga praktika amerikane. Një republikë ku Presidenti është njëkohesisht kryetar i ekzekutivit dhe si i tillë, mekanizmat e kontrollit janë më të shtuara:

“Ky model që kemi marrë për kalimin e dekreteve presidenciale me pëlqim të Kuvendit është model amerikan,i cili sot më shumë se kurrë po derivon drejt votës nominale. Kjo është luftë ndaj korrupsionit me “state layer”. Rritja e transparencës heq korrupsionin”, tha Halimi.

Ish-kryeministri Pandeli Majko që merre fjalën më pas, argumenton se nuk mund të ndryshohen rregullat e lojës, kur loja ka filluar.

“Rregullat nuk ndryshohen asnjëherë kur procesi ka filluar, e para. E dyta, rregullorja është ndryshuar me konsensus. Mendoj se është edhe në favor të një klime të caktuar politike që ne po përpiqemi aq sa mundemi të ndërtojmë, se ne nuk duhet të orientohemi në ndryshimin e Rregullores tani për këtë cështje”, është shprehur Majko.

Në vijim Ilir Rusmali e mori sërish fjalën për të bërë një dallim mes votës së fshehtë, që lipset për Prokurorin e Përgjithshëm apo kryetarin e SHISH-t, si institucione të pavarura, me votën e hapur që propozohet për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, meqë këto të fundit janë institucione kontrolli dhe balance.

“Emërimi i këtyre gjyqtarëve, duam apo nuk duam ne, nuk mund të jetë kurrë, sot e 100 vjet, cështje e ndërgjegjes së deputetit. Emërimi i këtyre gjyqtarëve është cështja e funksionit thelbësor të vetëm që ka Parlamenti në raport me drejtësinë”, ka theksuar Rusmali në mbledhje.

“…edhe njëherë ju bëj apel që ky hap nuk ndikon për të ndryshuar perceptimin që kanë publiku dhe ndërkombëtarët për drejtësinë shqiptare. Nuk blindohet drejtësia shqiptare kështu. Kështu nuk përmirësohet klima politike, përkundrazi hidhet një hap për ta përkeqësuar atë”, tha Ruci.

Mbledhja ka vijuar edhe pak dhe ka përfunduar pa asnjë konsensus.

Propozimi i shumicës është që votimi të bëhet nominal, pra që kryetarja e Kuvendit të thërrasë një për një secilin prej deputetëve, i cili do të deklarojë votën e tij, pro ose kundër. Por për këtë duhet të shprehet më parë Kuvendi dhe ndryshimet e Rregullores, pritet të kalojnë në seancë plenare.

Por analistë të caktuar flasin për votën e deputetit, si për një element politik dhe jo transparence. Sipas tyre transparenca në vetvete qëndron te përzgjedhja e kandidaturave nga Presidenti dhe seanca dëgjimore që organizon me ta Komisioni i Ligjeve.

Publikut dhe Presidentit të Republikës, sipas tyre, më shumë se sa vota e secilit deputet, i interesojnë arsyet pse votohet kundër një kandidature. Dhe qëndrimi i shumicës apo i pakcisës parlamentare, bëhet i ditur gjatë seancave dëgjimore.

Top Channel