Helsinki: Të mbrohet investigimi

23/06/2010 20:55

Komiteti i Helsinkit, permes një deklarate publike ka shprehur shqetësim lidhur me vendimin e gjykatës së shkallës së parë ku Top Channel është gjobitur me 400 mijë euro.

Edhe pse një çëshje në gjykim e sipër, Komiteti i Helsinkti është shprehur publikisht mbi rëndësinë që ka liria e medias dhe rëndësia e informacionit që ajo ofron, duke vlerësuar rolin që ka luajtur emisioni “Fiks fare” në luftën ndaj korrupsionit apo në parandalimin e krimit.

“Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH), pa dashur të bëjë vlerësimin e vendimit gjyqësor të mësipërm, të cilin mund ta shqyrtojnë vetëm gjykatat më të larta, e shikon të arsyeshme të parashtrojë publikisht qëndrimin e tij lidhur me çështjen e lirisë së medias dhe rëndësinë e informacionit që ajo ofron, çështje me interes të veçantë për publikun e gjerë dhe vetë demokracinë. Në trajtimin e kësaj çështjeje, KSHH ka parasysh faktin se investigimi mediatik, në rastin konkret, u krye ndaj një ish-ministri, funksionar i lartë i shtetit, i cili duke pranuar të ushtrojë këtë funksion, ka pranuar njëkohësisht që veprimtaria e tij të jetë nën vëzhgimin e publikut të gjerë, si dhe të vlerësimit ose kritikës së shtypit të lirë”, thuhet në reagim.

Përmes kësaj deklarate, Komiteti i Helsinkit ka argumentuar sesi ka vepruar gjykata europiane në raste të tilla dhe sa i rëndësishëm është mbrojta e gazetarisë investigative.

“KSHH mendon se investigimi i mediave ndaj funksionarëve të shtetit, duhet të ketë për synim të konstatojë të vërtetën, lidhur me përdorimin e pushtetit dhe zbatimin e ligjit prej tyre, me qëllim që të ushtrohet kontrolli mbi ta, jo vetëm nga organet kushtetuese, por edhe nga zgjedhësit që i kanë mandatuar. Nisur nga konsideratat e mësipërme dhe duke marrë shkas nga emisioni “Fiks Fare”, kryeministri, organi legjislativ dhe presidenti i Republikës u nxitën të mbanin atë qëndrim të shpejtë dhe të motivuar ndaj ish-ministrit në fjalë. Në praktikën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në rastet e shqyrtimit të çështjeve të tilla, ose të ngjashme me to, pavarësisht se është konstatuar ndonjë teprim, madje edhe ndonjë provokim nga ana e medias, sidomos të asaj investigative, është pranuar se shërbimi që i bëhet publikut të gjerë është shumë më i madh se cënimi i reputacionit të pretenduar nga funksionari objekt investigimi. Kjo Gjykatë e ka shprehur qartë qëndrimin e saj se: “Kritika mund të bëhen në lidhje me jetën private të një individi, por duhet treguar se ndërhyrjet janë të justifikuara nga konsideratat të një interesi publik, ose që problemi bën pjesë në çështje të interesit të përgjithshëm (Çështja Tammer kundër Estonisë)”, thuhet në reagim.

Komiteti i Helsinkit ka vlerësuar kontributin e emisionit “Fiks fare” në luftën ndaj korrupsionit dhe në parandalimin e krimit dhe shpreh shqetësim në lidhje me vendimin e gjykatësit Agim Bendo.

“Në përfundim, KSHH shpreh shqetësimin e tij lidhur me vendimin e mësipërm të Gjykatës, jo thjesht për detyrimin e Top Channel me shumën 400 mijë euro, por sidomos për faktin se një vendim i tillë mund të dekurajonte shtypin e lirë, sidomos median investigative për kryerjen e misionit të saj. Në këtë vështrim, vlen të evidentohet fakti se emisioni “Fiks Fare”, pavarësisht nga vërejtjet që mund të bëhen, ka dhënë një kontribut të vlefshëm në interes të publikut, sidomos në luftën ndaj korrupsionit dhe parandalimit të krimit”, thuhet në reagim.

Top Channel