Shkodër, spitali nuk ka as shiringa

19/06/2010 08:45

Në spitalin rajonal të  Shkodrës, prej kohësh mungojnë medikamentet dhe pajisjet më të nevojshme për pacientët. Në këto kushte, të afërmit e të sëmurëve janë të detyruar t’i blejnë vetë medikamentet.

Konkretisht mungesa të theksuara ka në serume, shiringa dhe ilaçe, për të cilat e vetmja zgjidhje janë blerja te farmacitë e shumta që ndodhen pranë oborrit të spitalit.

Një nga familjarët e një  pacienti, tha dje për gazetën “Shqip”: “Këtu gjithçka duhet blerë. Ka dy ditë që ka lindur gruaja e kushëririt dhe ne jemi detyruar të blejmë çdo ilaç, duke përfshirë këtu: serume, shiringa dhe çdo gjë tjetër. Të gjitha ilaçet gjenden në farmaci, ndërsa në spital nuk gjen asgjë”.

Sipas një tjetër pacienti që ndodhej në spital, për të vizituar një të afërm, mjekët i dërgojnë familjarët të blejnë ilaçe jashtë.

Probleme të tilla, siç është mungesa e theksuar e ilaçeve në spitalin rajonal të Shkodrës, është kthyer në një fenomen të zakonshëm kohët e fundit.

Drejtues të spitalit thonë se furnizimi i spitalit me ilaçe është kompetencë e Ministrisë së Shëndetësisë.

Top Channel