Vorë, bashkia padit “viktimat”

17/06/2010 19:25

Cështjes së Gërdecit i shtohen edhe dy padi të tjera, por kësaj radhe të paditur janë banorë të dëmtuar nga kjo tragjedi.

Hekuran Cubi dhe Sanije Skënderi janë paditur në gjykatën civile të Tiranës për moskthim të shumës së përifuar tepër pasi sipas bashkisë, të dëmtuarit e tragjedisë së gërdecit kanë përfituar nga fondet e shtetit në kohën që komisioni i parë i vlerësimit të dëmeve i ka vlerësuar dëmet me një vleftë më të lartë se komisioni i dytë që ishte edhe përfundimtari.

Këto dy padi janë hedhur në short dhe i kanë rënë në gjykim Teuta Hoxhës dhe Altin Shkurtit.

Pothuajse një vit më parë, e njëjta bashki depozitoi një paketë të plotë me 42 banorë nga Gërdeci dhe Marqineti, për të cilët bashkia kërkonte t’i kthenin shumën e derdhur nga shteti në bazë të një vlerësimi të kryer nga komisioni i dytë.

Por kjo listë të paditurisht u copëzua në disa gjyqtarë të gjykatës civile, ku fati i disa proceseve ende s’ka përfunduar e disa të tjera janë pushuar.

Nga ana tjetër, të dëmtuarit e kësaj tragjedie që kanë humbur të afërm në shpërthimin e 15 marsit 2008 janë në dorën e gjykatësve për dëmshpërblimin e jetëve të humbura.

Po kështu, në gjykatën penale ndodhet edhe procesi penal ndaj 29 të pandehurve që akuzohen për tragjedinë, mes të cilëve civilë, ushtarakë dhe drejtues të “Albademil”.

Top Channel