Remitancat, rënia nuk ndalet

17/06/2010 15:55

Dërgesat e emigrantëve kanë vazhduar të bien sërish edhe për tre mujorin e parë të vitit. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se dërgesat e emigrantëve për periudhën janar -mars ranë me 7.1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas Bankës gjatë tremujorit të parë, shqiptarët që punojnë dhe jetojnë jashtë dërguan në formën e transfertave në Shqipëri rreth 170 milionë euro, ose 13 milionë euro më pak se sa një vit më parë.

Të dhënat tregojnë se tashmë dërgesat e emigrantëve po shfaqin një tendencë të qartë rënëse, që ka nisur që prej vitit 2007.  

Krahasuar me tre muajt e parë të 2007-ës, dërgesat ishin tremujorin e parë të këtij viti 26.7 për qind më të ulëta. Vitin e kaluar dërgesat e emigrantëve ishin në total rreth 782 milionë euro ose gati 10 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto, duke qenë një nga burimet kryesore të financimit nga jashtë.

Sipas një studimi të kryer dy vjet më parë nga banka e Shqipërisë, rezultoi se dërgesat e emigrantëve kanë qenë një nga faktorët kryesorë të zbutjes së varfërisë në vend. Në Shqipëri përfitojnë dërgesa nga jashtë rreth 180 mijë familje dhe banka e Shqipërisë thotë se nëse këto dërgesa nuk do të ekzistonin 40 për qind e këtyre familjeve do të jetonin nën kufirin e varfërisë me më pak se dy dollarë në ditë.

Të dhënat e viteve të fundit, po konfirmojnë parlajmërimin e bërë nga FMN dhe Banka Botërore vite më parë se dërgesat janë një burim i përkohshëm financimi dhe se shumë shpejt Shqipërisë do i duhet të gjejë të tjera burime por qe kete radhe i mbivendosen edhe shkaqet nga kriza nderkombetare ekonomike.     

Top Channel