Inspektimi financiar fut në sherr deputetët

16/06/2010 08:05

Ashtu sikurse pritej, projektligji i qeverisë “Për inspektimin financiar” ka sjellë debate të ashpra në komisionin parlamentar për ekonominë dhe financat.

Opozita e konsideron projektligjin një hap drejt dublimit të punës së KLSH-së, duke shtuar struktura të reja në varësi të qeverisë. Në diskutimin e zhvilluar dje në komision, palët kanë gjetur në fillim konsensusin për ta votuar projektligjin, por propozimi i anëtarëve deputetë të PS-së, për më shumë detaje rreth draftit, ka sjellë më pas acarimin e situatës.

Pranë Ministrisë së Financave do të krijohet Drejtoria e Inspektimit Financiar publik, e cila do të hetojë të gjitha rastet me shkeljet e rënda, kontratat, korrupsionin, etj.

“Nuk është nevoja për provokime apo cinizma. Thjesht po kërkojmë që para se të miratojmë projektligjin, të na vini në dispozicion materiale shtesë rreth praktikës që është ndjekur deri në hartimin e tij”, tha anëtari socialist, Gjovalin Kadeli. Kurse deputeti tjetër, Erjon Braçe, insistonte që të njihej me rekomandimet e ndërkombëtarëve për sa u takon kompetencave të drejtorisë së re për inspektimin financiar.

“Duam të dimë nëse janë prekur apo jo kompetencat e institucioneve kushtetuese, si KLSH, SHISH, apo gjykatat. Pa këto informacione shtesë është e kotë të diskutojmë”. Por relatori i projektligjit, demokrati Sherefedin Shehu, në cilësinë edhe të ish-zv.ministrit të Financave, tha se projektligji nuk ka të bëjë aspak me KLSH-në dhe nuk i prek kompetencat e saj. “Në rast se keni qëllime politike dhe jo thjesht teknike për të diskutuar, po ju sqaroj se projektligji nuk cenon askënd”, tha Shehu.

Në debat e sipër, palët ranë të dakord të kalojnë në pyetje, por edhe këtu nuk munguan diskutimet. Lidhur me pyetjen e deputetin socialist, Ilir Bejtja, rreth rolit të prokurorisë në projektligjin e ri, si dhe mendimet e KLSH-së, deputetët e mazhorancës e kanë quajtur një provokim të radhës. “Jeni duke humbur kohë kot. Rekomandimet e BE-së flasin për një zgjerim të strukturave audituese në dorë të qeverisë”, tha Flamur Noka.

“Ne kemi pritur 6 muaj për ta diskutuar projektligjin, i cili vjen me shumë vonesë për miratim. Kështu që mund të presim edhe ditë të tjera, deri në sqarim të plotë”, iu drejtua Mimi Kodheli demokratëve. “Keni kohë ju, por nuk kemi ne që duam të shkojmë në Europë”, iu përgjigj Shehu.

Top Channel