Bashkëshorti i saj vrau çiftin e të moshuarve në Dropull, 73-vjeçarja shpërthen në lot: U çmenda fare, do ma marrin shtëpinë për kredinë e tij

06/05/2024 11:48
Eftiqia Mastora

Eftiqia Mastora, 73 vjeçe, bashkëshortja e Thoma Mastorës, 69 vjeçarit që vrau të moshuarit Kosta Ilia dhe gruan e tij Kleoniqi Ilia në Dropull, ka shpërthyer në lot për ngjarjen e rëndë të ndodhur.

E pyetur nga Top Channel për motivet që mund ta kishin shtyrë bashkëshortin e saj të kryente krimin e rëndë, 73 vjeçarja tha se nuk kishte asnjë dijeni tjetër ndërsa e përlotur kërkoi ndjesë për ngjarjen tronditëse.

“Nuk kam çfarë iu them tjetër, kërkoj ndjesë! Nuk kam çfarë të bëj më, më thoni edhe juve çfarë të bëj? Mua ai më mbaroi tani, nuk më del inati, me sëmundjet e mia, shqetësimet e mia. Nuk ka më asnjë punë me mua”- tha e moshuara.

Më tej, ajo zbuloi se autori kishte marrë edhe kredi dhe u shpreh se kishte frikë se mos mbetej pa shtëpi. E pyetur nga gazetarja Kristina Fidhi se mos krimi kishte ndodhur për shkak të parave që mund t’i ishin dashur 69 vjeçarit, ajo tha se i kishte dhënë personalisht 150 mijë lekë të reja për të blerë një makinë dhe se nuk kishte dijeni për asgjë tjetër.

“Kishte marrë edhe kredi, kam frikë se do më lërë pa shtëpi. Më tha policie ç’punë ke me bankën. Unë nuk di gjë u thashë, kishte marrë kredi. Nuk e di çfarë të bëj, u çmenda fare. Kush e ndihmoi që e mori atë kredi? Unë ta takoj atë? Për çfarë, çfarë t’I them që more në qafë dy pleq? Çfarë t’i them e shkreta unë? Ai mori kredi, 1 milionë e gjysmë i kam dhënë unë për makinë se u çmend donte makinë. I kam marrë te motra ime dhe ia kam dhënë. Dua të interesoheni ku ka marrë kredi dhe kush e ndihmoi dhe ku i ka çuar?”- u shpreh 73 vjeçarja.

Për ngjarjen e rëndë të ndodhur ditë më parë, policia mori në pyetje 35 persona, ndërsa aktualisht po mbahet i arrestuar 69 vjeçari. Ky i fundit dyshohet se ka qenë në shtëpinë e të moshuarve me të cilët ka pasur një konflikt më pas dhe i ka goditur me sende të forta e mjet prerës duke i lënë të vdekur në vend.

Gjatë kontrollit të banesës së 69 vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendin e dyshuar të krimit, një sasi municioni luftarak, një mjet prerës, dhe prova të tjera që janë dërguar për egzaminim në Institutin e Policisë Shkencore.

Top Channel