Britania: Mos prisni imponim nga të huajt

15/06/2010 08:30

Ambasadorja e Britanisë së  Madhe në Tiranë, Fiona McIlwham, deklaroi dje se Shqipëria duhet të ketë vizion për të kryer reformat e nevojshme që të ecë përpara në BE.

Në një fjalim të mbajtur me hapjen e ekspozitës “Culture Lobby”, ambasadorja britanike tha se, që ky projekt anëtarësimi të funksionojë duhet të stimulojë jo vetëm imagjinatën e politikanëve, por kryesisht të njerëzve të zakonshëm, veçanërisht të të rinjve.

“Ambicia, reforma dhe vizioni duhet të jenë një program shqiptar, jo një listë gjërash e imponuar nga të huajt”, ka deklaruar ambasadorja.

Sipas saj, ekziston rreziku që në vorbullën e përditshme mediatike, BE-ja të bëhet vetëm një nëntitull, një fletëkalim, një vizë, apo diçka abstrakte për të cilën politikanët shqetësohen.

“Nuk është sekret që ne, britanikët, kemi një marrëdhënie komplekse me Europën kontinentale. Si ishullarë, ne e mbrojmë fort identitetin dhe historinë tonë të veçantë. Marrëdhëniet britanike kanë evoluar dhe kanë ndryshuar gjatë 30 e më shumë viteve të anëtarësimit. Por asnjëherë nuk është kontestuar vlera e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, është shprehur McIlwham.

Top Channel