Velipoja, bëhet gati për fluksin e pushuesve

14/06/2010 08:40

Nisja e sezonit turistik ka ofruar pushuesit e parë pranë bregdetit të Velipojës.

Ashtu si vitin e kaluar, pushuesit nga Kosova janë më “besnikët” e këtyre ditëve të para të qershorit. Një pushues nga Kosova, Zenel Shkodra, duke folur për gazetën shprehet se “ky është viti i dytë radhazi që vijmë të pushojmë në Velipojë. Mbetëm mjaft të kënaqur vitin e kaluar, prandaj u kthyem sërish. Këtu rëra dhe uji i detit janë shumë të pastra, çmimet të arsyeshme si për fjetjen, ashtu edhe për ushqimet. Vitet e mëparshme kemi shkuar në Ulqin, por vendosëm të ndryshojmë dhe të vijmë në Velipojë, sepse është më afër dhe çmimet janë më të leverdishme”.

Ndërkohë, pronarët e hoteleve shprehen se në krahasim me një vit më parë, vihet re një shtim i numrit të kërkesave për dhoma. Sipas tyre, kjo vjen për faktin se çmimet janë tepër konkurruese për tregun. Ato variojnë nga 25-50 mijë lekë për një qëndrim prej 15 ditësh. Ndërkohë në dhoma garantohet ujë, drita dhe ajër i kondicionuar. Ndërsa lokalet dhe dyqanet e shërbimit duket se ende kanë punë për të përfunduar përgatitjet për fluksin e pushuesve që pritet të nisë muajin tjetër.

Ndërkaq, drejtuesit e Komunës Velipojë garantojnë se këtë verë, të gjithë pushuesve që do të zgjedhin plazhin e Velipojës, do t’u garantohet furnizim 24 orë me ujë të pijshëm dhe energji elektrike, mbajtje e rendit dhe qetësisë publike, shërbim 24-orësh për urgjencat shëndetësore.

Ndërkohë premtojnë se janë drejt përfundimit investimet që janë ndërmarrë për infrastrukturën, në mënyrë që plazhi i Velipojës të bëhet gjithnjë e më i kërkuar për pushuesit nga të gjitha trojet shqiptare. Velipoja i ngjason një bregdeti të virgjër, ende të pazbuluar nga guidat turistike. Rëra e pastër dhe uji i pastër i japin kësaj zone jo vetëm vlera të rralla turistike, por dhe kurative.

Vitin e kaluar plazhi i Velipojës u shpall plazhi më i pastër nga Ministria e Mjedisit, e ndoshta kjo është një nga arsyet që nga viti në vit ky bregdet po shndërrohet në një nga vendet më të lakmuara për të pushuar. Drejtues të Komunës Velipojë duke folur për gazetën shprehen se shumë shpejt do të ndërmerren një sërë investimesh të cilat do nisin të vihen në zbatim.

Të tilla janë: rruga e Baksit, ura e Rrjollit, shëtitorja në qendër të Velipojës, do të krijohen hapësira të gjelbra. “Të gjitha këto investime do të bëhen në funksion të krijimit të një zone turistike bashkëkohore dhe afrimin e sa më shumë pushuesve”, thonë drejtuesit e komunës.

Top Channel