Shpërthim në Sauk, 2 të vdekur, 3 të plagosur

13/06/2010 15:25

Një shpërthim i fuqishëm i ka marrë jetën dy personave në qendër të Saukut, si edhe ka plagosur rëndë tre të tjerë. (UPDATE)

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10 e 10 minuta të së dielës, në familjen Xhebrahimi.

Policia dyshon në një shpërthim eksplozivi, por ende nuk ka një version zyrtar për ngjarjen. Eksplozivi i vendosur në një televizor ka shpërthyer në momentin që tekniku po e vinte atë në funksion.

Luan Brahja, që ishte edhe teknik televizorësh dhe i afërm i familjes Xhebrahimi ka gjetur vdekjen e menjëhershme, dhe bashkë me të edhe kryefamiljari Xhevdet Xhebrahimin, i cili ishte shumë afër vatrës së shpërthimit.

Të plagosur rëndë mbetën anëtaret e tjerë të kësaj familjeje, Fatbardha Xhebrahimi, 65 vjeç, si edhe dy fëmijët, Shpresa e Altin, që ndodhen në terapi mjekësore në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Të plagosurit kanë në trupat e tyre edhe sende të ndryshme që u janë ngulur ne trup si pasojë e forcës së shpërthimit.

Policia ende nuk ka një konfirmim zyrtar për ngjarjen, por ka theksar se është duke hetuar intensivisht, nëse ka një eksploziv të vendosur me qëllim, apo shpërthimi ka ardhur nga ndonjë faktor tjetër.
Policia është njohur edhe me faktin që familja Xhebrahimi ka patur edhe një hasmëri të vjetër dhe policia ka bërë edhe shoqërimin e të gjithë personave të dyshuar për ngjarjen si edhe ata të cilët janë në dijeni të ndonjë të dhëne në lidhje me të.

Top Channel