Burrel, plehrat, shqetësim për banorët

13/06/2010 08:50

Hedhja e plehrave dhe mbeturinave të qytetit të Burrelit nga ana e bashkisë së  këtij qyteti, vazhdon të mbetet problem shqetësues për banorët.

Prej vitesh plehrat hidhen në periferi të këtij qyteti në anën jugore të tij në kufi me Komunën e Komsisë të rrethit të Matit, në afërsi të varrezave të dëshmorëve të qytetit. Në mungesë të një land-filld-i, këto mbeturina duke mos u ngjeshur e mbuluar me dhe, janë djegur, gjë kjo që ka shkaktuar mjaft shqetësim jo vetëm për banorët e vetë qytetit të Burrelit, por edhe për ata të Komunës së Komsisë.

Banorët ankohen se nuk mund të hapin dritaret e shtëpive, pasi shtëpitë mbushen me tym dhe vjen një erë shumë e keqe. Çdo ditë në këtë zonë hidhen dhjetëra tonelata me plehra, të cilat digjen duke shkaktuar jo vetëm ndotje të mjedisit, por edhe duke u bërë burim infeksionesh, sidomos për fëmijët e shkollës së fshatit të Komsisë, e cila ndodhet fare pranë vendit ku digjen mbeturinat.

Në vijimësi edhe përkundër ankesave të Komunës së Komsisë ndaj Bashkisë së Burrelit, ende zgjidhja nuk ka ardhur edhe pse është premtuar nga kjo e fundit. Ndërkohë, ky shqetësim i banorëve është ngritur jo vetëm para Bashkisë Burrel, por edhe përpara Prefekturës së Qarkut Dibër. Banorët e Komunës së Komsisë duket se e kanë humbur tashmë durimin, kur thonë se po vazhdoi edhe më tej kjo situatë, do nisin protestat deri në bllokimin e rrugës automobilistike.

Top Channel