Trupa shtesë në Afganistan

12/06/2010 16:30

Shqipëria do të shtojë trupat dhe prezencën civile në Afganistan. Ministri i Mbrojtjes Arben Imami deklaroi për Top Channel se shtimi i personelit në këtë vend të përfshirë nga kaosi nuk do të ketë efekt shtesë financiar në buxhetin e shtetit pasi do të tërhiqen komandot me mision në Çad.

“Ka një rritje të trupave, ka një kontroll më të madh, ka më shumë përgjegjësi, ka edhe shumë probleme për të zgjidhur. Synimi themelor i NATO-s është që t’i kalojë përgjegjësinë e pushtetit qeverisë afgane dhe popullit afgan. Për këtë në radhë të parë duhen përgatitur forcat e sigurisë, ushtria dhe policia afgane. Prandaj dhe kontributet kryesore që kërkohen janë në këtë fushë”, është shprehur Imami.

“Ne sigurisht iu përgjigjëm këtyre nevojave dhe do të dërgojmë besoj nga fillimi i vitit të ardhshëm, një grup prej rreth 20 personash që do të punojnë në këtë fushë të trajnimit të këtyre forcave. Megjithatë ky nuk është kontributi i vetëm. Një grup i forcave speciale me nga 45 trupa do të shkojnë në Afganistan, në Kandahar, në operacione luftimi dhe kjo është një nga zonat më të vështira ku janë përqëndruar luftimet”, theksoi Imami.

Top Channel