Itali, kapet skafisti shqiptar

12/06/2010 02:35

Një gomone me dy motorë me 25 kuaj fuqi secili,  u bllokua ditën e premte nga Guardia di Financa në Santa Maria di Leuka, në ekstremin jugor të Italisë.

Në të udhëtonin 35 persona me kombësi të ndryshme, kryesisht nga Pakistani, Afganistani dhe Irani.

Pas një manovre në det forcat e rendit arritën të bllokojnë mjetin lundrues, përpara se skafisti t’i afrohej bregdetit dhe të largohej më pas. Një përfaqësues i Guardia di Financia konfrimoi për Top Channel se skafisti është një shtetas shqiptar dhe fillimisht ai ishte munduar të humbte gjurmët duke u përzier me grupin e refugjatëve që transportonte.

Aktualisht skafisti ndodhet në gjende arresti ndërsa vazhdojnë hetimet për të zbuluar se nga është nisur ai. Sipas deklaratës që bëri përfaqësuesi i forcave të rendit, megjithëse vendi ku është kapur gomonia të bën të mendosh se është nisur nga Shqipëria po vazhdojnë hetimet për të zbuluar saktësisht se nga është nisur mjeti lundrues.

Top Channel