“Kriza cënon integrimin”

12/06/2010 20:30

Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernard Borshard shprehet se është i pakënaqur për mënyrën se si po zgjatet kriza politike në Shqipëri.

Në një intervistë për revistën MAPO ai thotë se situata e krijuar mund te kompromentoje si integrimin europian ashtu edhe proçesin e heqjes se vizave.

I pyetur në lidhje me rrjedhën e ngjarjeve pas takimin në Strasburg, ambasadori gjerman thotë se takimet e mbështetura nga Parlamenti i Europës mes qeverisë dhe opozitës ende nuk kanë dhënë asnjë rezultat.

Kjo është për të ardhur keq. Bashkimi Europian vazhdon të kërkojë nga udhëheqësit politikë shqiptarë gjetjen e një zgjidhjeje nëpërmjet kompromisit.

Ai është shprehur se jemi seriozisht të shqetësuar lidhur me zhvillimet në Shqipëri, mungesa e gatishmërisë për kompromis, një parlament i cili për një kohe të gjatë ka qenë jo funksional, me pasoja të mundshme në të gjithë aparatin shtetëror.

Ambasadori në intervistën dhënë revistës “Mapo” thotë se kjo e bën të domosdoshme gjetjen e menjëhershme të një zgjidhjeje të vlefshme në terma afatgjatë.

Kërkesat tona thotë diplomati të jenë në përputhje me kushtetueshmërinë dhe transparencën.

Ai thotë se përsa kohë nuk ka një zgjidhje për krizën do të ishte e vështirë t’u sqarojë qytetarëve të Bashkimit Europian se përse i kemi dhënë Shqipërisë statusin e kandidatit.

Një zgjidhje e krizës, thotë ambasadori, është e domosdoshme në mënyre që shoqëria të ecë përpara në rrugën e saj europiane.

I pyetur në lidhje me proçesin e liberalizimit të vizave ambasadori përmend qendrimet e eurodeputetëve të cilët vizat i lidhin me situatën e brendshme politike.

Ai thotë se i konsideron me shumë rëndësi këto deklarata për faktin se pa pëlqimin e Parlamentit Europian nuk mund të ketë liberalizim të vizave.

Top Channel