Rriten investimet e huaja

11/06/2010 15:55

Të dhënat zyrtare tregojnë se investimet e kompanive të huaja në ekonominë shqiptare janë rritur edhe gjatë muajve të parë të këtij viti.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e parë investimet e huaja direkte ishin 154 milionë euro, ose 28 për qind më shumë se tremujori i parë i 2009-ës. Të dhënat tregojnë se investimet e huaja kanë qenë në rritje përgjatë të dy viteve të fundit, që përkojnë me krizën globale. Në vitin 2009, investimet e huaja në Shqipëri arritën në 680 milionë euro ose 9.6 për qind më shumë se një vit më parë.

Kjo në një kohë kur investimet e huaja direkte në shumicën e vendeve të rajonit kanë pësuar rënie të fortë. Sipas Insitutit të Vjenës në 2009-ën investimet e huaja në Europën Qëndrore dhe atë lindore u përgjysmuan, ndërsa rritje pati vetëm në Shqipëri dhe Mal të Zi.  

Por pavarësisht rritjes, Shqipëria mbetet sërish vendi me investimet të huaja më të pakta në rajon. Sipas Bankës Botërore, fluksi kumulativ i investimeve të huaja për frymë në Shqipëri është vetëm 1160 dollarë. Maqedonia e ka këtë tregues 1379 dollarë, Bosnja 1687 dollarë, ndërsa Kroacia 5670 dollarë.   

Top Channel