Të drejtat e njeriut

10/06/2010 16:25

Policia shqiptare duhet të investohet për të arritur standardet e kërkuara në lidhje me shoqërimet e shtetasve në komisariate, veçanërisht për dërgimin e të miturve dhe femrave në ambjente që mbahen së bashku me persona madhorë.

Ky konkluzion doli gjatë takimit ndërkombëtar të 22 vendeve që janë pjesë e mekanizmit për parandalimin e torturës.

Drejtuesi i kësaj strukture për Shqipërinë, Ervin Karamuço tha për Top Channel se policia ka bërë progres kundër përdorimit të dhunës dhe turturës.

“Ka ende shumë për të bërë, fatmirësisht nuk flitet më për torturë fizike, flasim për kushte dhe standarde, ambjente policie që nuk janë rikonstruktuar, në rast se shoqërohet një femër ajo mbahet në korridor, të miturit mbahen me madhorët, shoqërimet ndodhin më shumë se 12 orë dhe jo sa është ligji. Në dokumentimin e të gjitha shoqërimeve policia ngatërron shoqërimet me ndalimet”, është shprehur Karamuço.

Ky raport i cili u përpilua gjatë këtyre dy ditëve do t’i përcillet policisë së shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, ndërkohë që mes rekomandimeve për shoqërimet dhe ndalimet, ka një propozim për të zgjidhur dilemën se kush duhet ta menaxhojë paraburgimin policia apo burgjet.

Kjo pasi aktualisht ekziston një manual për trajtimin e të ndaluarve dhe të të shoqëruarve, por që sipas mekanizmit kundër tortures ai bie ndesh me ligjin e policisë së shtetit dhe rrezikon të mos aplikohet.

Top Channel