Pyetësori i Brukselit

10/06/2010 19:35

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu njoftoi sot se Shqipëria ka dorëzuar pranë Komisionit Europian të tëra përgjigjet e kërkesave dhe pyetjeve shtesë që iu dërguan pas dorëzimit të pyetësorit më 14 prill.

Ishin rreth 700 kërkesa shtesë mes të cilave ministria e Integrimit identifikoi 170 pyetje të reja.

Kërkesat për sqarime shtesë dhe pyetjet e reja u shoqëruan me misione verifikimi në terren, pranë doganave, bizneseve shqiptare apo komisioneve parlamentare.

Deri më sot 4 misione vëzhguesish prej ekspertësh europianë kanë përfunduar vëzhgimin e tyre në terren, 2 misione janë ende në Shqipëri dhe 3 të tjerë do të përfundojnë vëzhgimin e tyre deri në fund të muajit.

Ministrja Bregu njoftoi se përgjigjet e pyetësorit do të bëhen të ditura shumë shpejt për publikun.

Mes pyetjeve shtesë kishte edhe pyetje që merrnin shkas nga situata aktuale politike, si psh mbi objektin e komisioneve hetimore parlamentare.

Ministrja Bregu shprehu bindjen se “në proçesin e integrimit europian askush nuk i heq meritat qeverisë”, ndërkohë që njihen tentativat për bllokim, shtoi ajo, të disa politikanëve të opozitës.

Top Channel