INSTAT, rritje çmimesh në mallrat e importuar

09/06/2010 08:00

Çmimet e ulëta të zarzavateve të pranverës sollën ulje të përgjithshme të Indeksit të Çmimeve të Konsumit gjatë muajit maj, por mallrat e importuar vijuan të rriten, pjesërisht si pasojë e shtimit të taksave dhe pjesërisht prej zhvlerësimit të lekut, bëhet e ditur nga Instituti i Statistikave.

IÇK u ul me 1.2 për qind në krahasim me prillin, ndërsa çmimet në tërësi janë 3.1 për qind më të larta se një vit më parë. “Indeksi i grupit ‘Ushqime dhe pije joalkoolike’ shënoi një ulje prej 3.0 për qind, brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 17.5 për qind vërehet në nëngrupin ‘zarzavate përfshirë patatet’”, njoftoi INSTAT.

Pavarësisht rënies së vërejtur në maj, çmimet e zarzavateve janë ende 18.6 për qind më të larta se një vit më parë.

Të dhënat e majit tregojnë gjithashtu se çmimet e mallrave të importuar vijuan të rriten. Frutat, të cilat vijnë kryesisht nga importi, vijuan të rriten.

“Indeksi i grupit ‘pije alkoolike dhe duhan’ shënoi një rritje prej 0.6 për qind, brenda të cilit çmimi i duhanit shënoi një rritje prej 0.8 për qind dhe çmimet e pijeve alkoolike një rritje prej 0.4 për qind.

Indeksi i grupit ‘Transport’ shënoi një rritje prej 0.2 për qind. Edhe gjatë këtij muaji vazhdoi rritja e çmimit të karburanteve dhe konkretisht çmimi i naftës shënoi një rritje prej 2.3 për qind dhe çmimi i benzinës 2.1 për qind. Indeksi i grupit ‘Shëndeti’ shënoi një rritje prej 1.5 për qind, ku mund të veçojmë rritjen e çmimeve të medikamenteve me 1.7 për qind”, raporton INSTAT.

Shumica dërrmuese e rritjes së çmimeve të mallrave joushqimore lidhet me zhvlerësimin e lekut. Monedha shqiptare ka humbur rreth 10 për qind të vlerës kundrejt euros dhe rreth 20 për qind të vlerës kundrejt dollarit, duke sjellë edhe rritje të kostos së importimit të mallrave për tregtarët. Qeveria ka ndihmuar në rritjen e çmimeve përmes rritjes së taksave për karburantet apo duhanin, të cilat konsiderohen si mallra kyçe në të ardhurat e buxhetit të shtetit.

Top Channel