Kriza e borxhit, FMN kërkon masa të ashpra

08/06/2010 01:00

Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkon ndërhyrje të ashpra në lidhje me krizën e borxhit. Për organizmin global, grupi 16 anëtarësh i eurozonës duhet të përshpejtojë shkurtimet buxhetore, në të kundërt rrezikon të përballet me rrezikun e një erozioni të besimit në tregjet financiare.

Në një raport mjaft të rreptë e të drejtpërdrejtë, FMN thotë se ristrukturimi ekonomik nuk është alternativë për krizën aktuale të menaxhimit.

Komentet e tij vijnë në kohën kur Gjermania aprovoi masat shtrënguese ekonomike dhe ministrat europiane të financave u mblodhën në Luksemburg për të diskutuar mbi krizën e borxhit.

Qeveria gjermane miratoi një paketë kursimesh rekord. Deri në vitin 2014 shteti gjerman duhet të kursejë deri në 80 miliardë Euro. Shkurtimet janë parashikuar kryesisht në sektorin social, në atë të ndërmarrjeve dhe në administratën e vendit.

Ekonomia do të marrë pjesë në financimin e krizës aktuale nëpërmjet një sërë masash, si heqjes së privilegjeve në sektorin energjetik, një taksë për fluturimet, që nisen nga Gjermania, një tatimi për sipërmarrjet dhe derdhjes së dividendit të hekurudhës “Deutsche Bahn” në arkën e shtetit.

Top Channel