Itali, manipulimi i tenderave, 52 në pranga

08/06/2010 13:35

Policia dhe prokuroria italiane në Rajonin e Kalabrisë kanë hedhur dritë mbi dhjetra vrasje të shkaktuara nga disa klane të organizatës mafioze Ndrangeta, për të shtënë në dorë tenderat për ndërtimin e një rruge.

Sipas raportimeve të mediave italiane, me urdhër të prokurorisë, agjentët e policisë kanë arrestuar 52 persona, anëtarë të familjeve Gallico-Morgante dhe Bruzzise-Parrello.

Të arrestuarit duhet të përgjigjen për pjesëmarrje në organizatë mafioze, vrasje, zhvatje dhe infiltrime në institucione me qëllim manipulimin e tenderave për autostradën që lidh Salernon me Rajonin e Kalabrisë.

Sipas burimeve, mes të ndaluarve janë urdhërues dhe autorë të një seri vrasjesh të kryera në vitet 80-90, kur familjet rivale përgjakën rrugët e qytezës së Palmit.

Hetuesit në prokurorinë e Kalabrisë deklaruan se lufta mes dy klaneve ka lënë pas një vijë të gjatë gjaku, pikërisht për kontrollin e tenderave për përmirësimin e infrastrukturës në Kalabri.

Top Channel