Ekzekutohen dy të rinj

07/06/2010 09:05

Dy të rinj janë qëlluar për vdekje pak minuta para orës 22 të mbrëmjes së djeshme. Ata janë Ersid Rama, 23 vjeç dhe Albert Seiti 24 vjeç.

Ky i fundit kishte marrë plagë të rënda dhe mësohet se ka ndërruar jetë në spital.

Ishin kalimtarë të rastit ata që panë automjetin me targa italiane brenda të cilit ndodheshin.

Drejtoria e policisë së Lezhës njofton se është lajmëruar 40 minuta pas ngjarjes se persona të paidentifikuar kishin qëlluar me armë zjarri dy të rinjtë.

Policia gjeti në makinë një armë Kallashnikov që ndodhej në duart e personit të plagosur, ndërsa në afërsi të mjetit ndodhej në tokë një pushkë.

Në vendngjarje kanë mbërritur autoritetet që po punojnë për sqarimin e rrethanave, identifikimin e kapjen e autorëve si dhe dokumentimin e ngjarjes.

Mesnatën e djeshme nisën kontrolle, ndërsa pritet të dalin edhe rezultatet e analizave të armëve për të mësuar dinamikën e ngjarjes dhe se cila ka qenë arma që i ka marrë jetën dy të rinjve.

Top Channel