Boshard: Kriza “ngrin” integrimin

07/06/2010 23:30

Ambasadori gjerman në Shqipëri, Bernard Boshard ka deklaruar nga Elbasani, gjatë një takimi me studentët se vendimi për liberalizimin e vizave nuk është marrë ende dhe këtë do ta vendosin tre kushtet shtesë të cilat Shqipëria duhet t’i plotësojë brenda verës. (UPDATE)

Ndërkohë që diplomati gjerman ka deklaruar se Shqipëria nuk mund ta përftojë statusin kandidat për në BE, nëse nuk zgjidh më parë krizën politike në vend.

“Megjithatë problemet që keni patur në zgjedhjet e fundit do ta vështirësojnë punën e komisonit, për t’i dhënë Shqipërisë, statusin e vendit kandidat. Kjo është theksuar shumë qartë nga komisioni dhe Parlamenti Europian, i cili ka nënvizuar se pret një zgjidhje politike në Shqipëri. Nëse kjo zgjidhje gjendet dhe proçesi ecën normalisht, ky proçes i dhënies së statusit do të përfundojë në 2011-ën, ose në 2012”, deklaroi ambasadori Bernd Boshard.

Gjithashtu, ambasadori është shprehur mbi krizën duke theksuar faktin se zgjidhja duhet të vijë nga konstitucionaliteti dhe transparenca. Për Boshard, BE, pret nje zgjidhje politike, që duhet të vijë nga politikanët shqiptarë.

Top Channel