Afganistan, ditë e zezë për ISAF, 10 të vrarë

07/06/2010 21:20

Dita e sotme ka qenë një ndër më të zezat e vitit në Afganistan për forcat ndërkombëtare të asistencës, të cilat kanë humbur 10 ushtarë në radhët e tyre.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ISAF përmes një komunikate për shtyp, në të cilën saktësohet se 5 ushtarë humbën jetën nga shpërthimi i një bombe në lindje të vendit.

Ndërsa në një operacion tjetër, një ushtar vdiq për shkak të plagëve të marra pasi u qëllua me armë zjarri, ndërsa një tjetër u vra nga një shpërthim në jug.

Po në këtë zonë humbën jetën tre ushtarë të tjerë, në dy episode të ndryshme. Ndërkohë, lufta në Afganistan ka arritur në 104 muaj gjatësi dhe për Shtetet e Bashkuara bëhet lufta më e gjatë në histori.

Konflikti në Vietnam zgjati 103 muaj, Lufta e Dytë Botërore 44, Lufta Civile 48 dhe revolucioni amerikan 81 muaj.

Ajo në Irak ka arritur në 86 muaj, por është drejt fundit. Presidenti Barack Obama ka premtuar se tërheqja e trupave do të fillojë në korrik të vitit 2011, por nuk është e thënë që kjo datë të respektohet.

Top Channel