Financat: Eksportet e KESH 75 mln dollarë

06/06/2010 08:00

Ministria e Financave i vlerëson pozitive treguesit e pesëmujorit të parë 2010, referuar tregtisë me jashtë, por edhe politikave fiskale.

Në deklaratën e djeshme për shtyp, zv.ministri Nezir Haldeda, paraqiti disa shifra të eksporteve në vend, të cilat janë rritur ndjeshëm, krahasuar me një vit më parë.

“Për 5-mujorin e vitit 2010, eksporti i energjisë elektrike është 7.6 miliardë lekë (afro 75 milionë dollarë), krahasuar më 1.2 miliardë lekë të të njëjtës periudhë të vitit të kaluar ose 6.3 herë më shumë”, tha Haldeda. Për të njëjtën periudhë të vitit, eksportet në total regjistrojnë një nivel prej 72.8 miliardë lekësh, kur 5-mujori i vitit të kaluar ishte 39.3 miliardë lekë, duke shënuar rritje me rreth 85 për qind.

Ministria e Financave u është përgjigjur edhe akuzave të opozitës për barrën e rëndë fiskale. “Ndryshimet e bëra në kuadrin rregullator fiskal i ulën me 2.5 herë të tatimit mbi fitimin, uljen me 2.3 herë të tatimit mbi të ardhurat, uljen 2 herë të taksës e punës, si dhe heqjen e 26 taksave nacionale”, tha zv.ministri.  

Top Channel