Në aktivitete të ndryshme për promovimin e kulturës, turizmit apo biznesit shqiptar në Itali, shpesh haset emri i Giovanni Firera-s, mik i Shqipërisë dhe për disa vjet konsull nderi në Piemonte.
Por kohët e fundit ai ka filluar të përdorë këtë titull edhe pse nuk i takon më, duke harruar një detaj të vogël: mandati i tij ka skaduar prej gati dy vjetësh dhe më pas nuk është rinovuar më.
Këtë e konfirmoi për Top Channel edhe ambasadori shqiptar në Itali, Llesh Kola. Ai shtoi se çdo nismë a aktivitet i zotit Firera pas skadimit të mandatit, nuk kryhet si përfaqësues i shtetit shqiptar, por në emrin e tij personal.
Por skadimi i mandatit pesë-vjeçar nuk e ka penguar zotin Firera që të vazhdojë të paraqitet si konsull nderi në seli institucionale nga më të ndryshmet.
Një prej rasteve të fundit është ai i binjakëzimit mes konservatorit Cantelli të Novarës dhe Akademisë së Arteve të Tiranës, që kishte si nismëtar pikërisht atë që mund të quhet ish-konsull nderi. Për fat të mirë projekti ka mbetur ende pezull dhe nuk janë dhënë fondet e nevojshme.
E njëjta gjë shihet edhe në websitin e azhornuar së fundmi dhe në konsullatën shqiptare të nderit në Torino na u përgjigjen se konsull është zoti Firera.
Top Channel