Rama: Kriza politike, përgjegjësi e Berishës

04/06/2010 13:00

Lideri i opozitës, Edi Rama ka deklaruar se afati i lënë nga ndërkombëtarët për zgjidhjen e krizës është i lidhur ngushtë me proceset integruese të Shqipërisë.

“Jemi në një proces ku është përfshirë komuniteti ndërkombëtar dhe ku është vendosur një afat për palët në vend për të gjetur një zgjidhje dhe ky afat është i lidhur me procesin e integrimit dhe me marrëdhëniet me BE”, ka pohuar Rama.

Kreu i PS ka theksuar se partia e tij nuk ka asnjë përgjegjësi në këtë cështje, e cila sipas tij varet nga qeveria.

Rama ka paralajmëruar se është i gatshëm të kontribuojë në zgjidhjen e krizës, e cila nëse thellohet do të dëmtojë procesin e integrimit të vendit.

“Nëse dikujt këto data i duken pa lidhje me këtë proces, ky nuk është problemi im. Ky është problemi i tij. Problemi im është të vazhdojmë të punojmë për zgjidhjen e krizës, që po thellohet duke kërcënuar procesin e integrimit të vendit dhe përkeqësimin e marrëdhënieve me BE-në. Për hir të kutive të mbyllura nuk mund të sakrifikohen synimet e shqiptarëve”, është shprehur Rama.

Ai ka shtuar më tej se opozita nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj për transparencë të plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit.

“Zgjidhja është tek transparenca, për t’i hapur rrugën normalizimit të procesit demokratik në vend”, ka theksuar Rama, duke shtuar se opsioni i protestave është i hapur nëse mazhoranca nuk bashkëpunon.

Top Channel