Dështon task-forca e dytë për kromin

04/06/2010 08:40

Task-Forca e re, e ngritur nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), për ndalimin e punës së jashtëligjshme në galeritë dhe stoqet e kromit në Minierën e Bulqizës, ende nuk ka dhënë asnjë rezultat pozitiv në këtë drejtim.

Ngritja me aq bujë e kësaj Task-Force të re, pasi kishte dështuar një e tillë e ngritur më parë, u konfirmua në mesin e muajit maj nga ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, gjatë një vizite të bërë për këtë qëllim në këtë minierë.

Por është evidente tashmë se edhe kjo e dyta do pësojë fatin e së parës. Kështu, edhe pse kanë kaluar dy javë nga ngritja e saj, jo vetëm që nuk ka rezultat të dukshëm në këtë drejtim, por as edhe gjurmë të veprimit të kësaj strukture të ngritur.

Ndërkohë, gjatë javëve dhe muajve të fundit edhe si rezultat i ngritjes së çmimit të kromit në Bulqizë, situata është problematike për sa i takon aktivitetit minerar.

Veçanërisht, pjesa jugore e minierës, e njohur si “Zona D” dhe e përcaktuar me rrezikshmëri të lartë, rezulton të jetë e përfshirë në disa raste nga aktivitete të firmave private të shfrytëzimit të jashtëligjshëm të kromit, apo përfshirjes në punë të personave nën moshën e punës.

Top Channel