Matura, të pakënaqurit do kenë fotokopje të tezës

03/06/2010 08:50

Korrigjimet e provimit të  letërsisë do të nisin më datë 4 qershor. Sipas rregullores së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, pritet që vlerësimi i tyre të përfundojë 15 ditë  pas fillimit të korrigjimit.

Por, drejtori i Arsimit Parauniversitar, Fatmir Vejsiu, pohon se një nga synimet e tyre është që ky proces të përfundojë para afatit të përcaktuar në rregullore, pra 11 ditë pas datës së fillimit të korrigjimeve. Ministria e Arsimit këtë vit ka treguar se ka qenë shumë e kujdesshme në mbarëvajtjen e procesit të hartimit të testit, por edhe në atë të vlerësimit, që do të fillojë nesër për të gjitha shkollat e mesme të Shqipërisë. Një nga risitë që solli MASH ishte edhe mënyra se si do të procedohej me korrigjimin e tezave të provimeve të maturës shtetërore për këtë vit. Ky proces do të kalojë në tri “faza”. “Kjo nënkupton që procesi i vlerësimit të tezave për këtë vit do të jetë i dyfishtë, por nuk përjashtohet edhe një vlerësim i trefishtë në rast se do të jetë e nevojshme”, thekson Vejsiu.

Korrigjimi

Faza e parë, është  ajo e korrigjimit nga një mësues i kualifikuar, i cili nuk ka të drejtë të vendosë notë, por vetëm të  bëj shënime për parregullsitë që konstaton. Ai do të  përdorë një ngjyrë të caktuar tek shënimet që bën, në mënyrë që kur teza të kalojë në fazën e dytë, pra tek një specialist i kualifikuar i fushës, të mos ketë keqkuptime në vlerësim. Kështu i dyti do të përdorë një ngjyrë tjetër, të dallueshme nga e para tek të gjitha ato përgjigje që janë të gabuara, duke përfshirë edhe ato që janë të korrigjuara nga vlerësuesi i parë. Pas kësaj, sipas Ministrisë së Arsimit, do të vërehen me shumë kujdes të gjitha shënimet e bëra nga dy vlerësuesit. Nëse korrigjimet e tyre, rakordojnë me njëra-tjetrën, nuk do të kalohet në një vlerësim të tretë, në të kundërt çdo tezë që do të ketë probleme të këtij lloji, do t’i nënshtrohet edhe një vlerësimi të tretë, që do të vendosë përfundimisht notën përkatëse. Ky lloj korrigjimi u premtua se do të ndiqej edhe vitin e kaluar, por është vënë në praktikë këtë vit, duke synuar në arritjen e një procesi korrekt, transparent e të barabartë për vlerësimin e të gjithë maturantëve.

Përgjigjet

Notat e çdo maturanti do të afishohen në shkollat përkatëse të tyre. Sipas Vejsiut, nxënësve të interesuar, do t’u jepet e drejta për të kërkuar fotokopjen e testit origjinal të letërsisë. Kjo do të shërbejë vetëm për ata nxënës që janë kuriozë të shohin vlerësimin që u është bërë testeve të tyre. Edhe pse, sipas Ministrisë së Arsimit pritet që këto raste të jenë të rralla, pasi procesi i vlerësimit të provimeve të maturës shtetërore për këtë vit, ka qenë i konceptuar “hollë” dhe në mënyrë të kujdesshme. Kjo do të shërbejë për të shmangur keqkuptimet, apo ndonjë parregullsi që ka ndodhur gjatë viteve të kaluara.

Provimi i parë i detyruar i maturës shtetërore, ai i letërsisë dhe gjuhës shqipe është zhvilluar më datë 1 qershor në të gjitha shkollat e mesme. Numri i maturantëve që kanë marrë pjesë në këtë provim ka qenë 37 mijë e 500 vetë. Testi ka filluar në orën 10:00 dhe ka përfunduar në 12:30, duke shënuar një kohëzgjatje prej 2 orësh e 30 minuta. Provimi i dytë i detyruar i maturës shtetërore, ai i matematikës, do të zhvillohet më 15 qershor, ndërsa testet me zgjedhje në datën 20 qershor.

Top Channel