Kuvend, Bregu: Letra e Ramës, qesharake

03/06/2010 19:00

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu ka ironizuar me letrën që kryetari i PS Edi Rama i dërgoi presidentit të KE Barroso, për heqjen e regjimit të vizave.

Gjatë fjalës së saj në Parlament, Bregu e ka cilësuar Ramën si një lider demagog, që shfrytëzon të tjerët për qëllimet e tij.

“Rama është bërë qesharak me letrën e tij. Ai jep ultimatume dhe më pas i kërkon ndërkombëtarëve që të mos marrin parasysh qëndrimin e tij. Ai është një lider demagog”, ka pohuar Bregu.

Ndaj fjalimit të saj ka reaguar deputetja socialiste Olta Xhacka, e cila ka deklaruar se është kryeministri Berisha komunisti i fundit në pushtet.

Sipas saj, ai ka futur vendin në krizë dhe përvec zhvatjes së qytetarëve dhe bizneseve, ka zhvatur edhe votën e lirë.

“Berisha është komunisti i fundit në pushtet. Ai bashkë me ministrin e Jashtëm po mundohen t’i vjedhin vizat popullit shqiptar. Qeveria po zhvat dita ditës qytetarët dhe bizneset. Shqiptarët dëshirojnë zgjidhjen e krizës, transparencën e zgjedhjeve dhe integrimin e vendit”, ka deklaruar Xhacka.

Top Channel