“Vizat” edhe në festën e Italisë

02/06/2010 23:00

Me rastin e 2 Qershorit, ditës së Festës së Republikës italiane, ambasada e këtij shteti në Shqipëri ka festuar me përfaqësuesit e saj diplomatik dhe personalitete shqiptare të një sërë fushave si politike, kulturore, ekonomike e më gjerë.

Në fjalën e rastit, shkëlqesia e tij Ambasadori Saba D’Elia, në prani të kryeministrit Berisha dhe kryetares së Kuvendit, Topalli dhe të të ftuarve të tjerë, foli edhe për proçesin e shpejtë, sipas tij, të liberalizimit të vizave, njëkohësisht duke u bërë thirrje të dyja kaheve poltike për zgjidhjen e krizës aktuale.

“Znj. Topalli, Z. Kryeminister, me kënaqësi shumë të madhe mora vesh disa ditë më parë nga Komisioneri i Çështjeve të Brendshme të BE-së, se Shqipëria pas pak muajve, në një kohë shumë të shkurtër, do të mund më në fund të udhëtojë pa parbleme, sepse vizat do të liberalizohen. Kjo është një përgjigje e progreseve të mëdha të realizuara nga Shqipëria, të cilat ishin kërkuar nga BE. Por është përgjigje edhe e shtysës dhe e kujdesit nga ana  e Italisë dhe vendeve të tjera, në favor të proçesit të liberalizimit të vizave.
Natyrisht, për të përshpejtuar integrimin dhe hyrjen e Shqipërise në BE, duhet që kriza poltike e brendshme të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Gjej rastin për të ftuar si mazhorancën, ashtu edhe opozitën për të gjetur një marrëveshje të mundshme. Sigurisht një marrëveshje që të respektojë rregullat thelbësore të demokracisë, ashtu sikurse përcaktohen në Kushtetutën e këtij vendi”, tha ambasadroi D’Elia.

Pjesë e fjalës së ambasadorit italian, D’Elia ishte edhe marrëdhënia e fqinjësisë mes dy vendeve, roli i Italisë si partner kryesor i Shqipërisë dhe eventet e organizuara në kuadër të nismës së kësaj ambasade, “Dy popuj, një det, një miqesi”.

Festa e Republikës italiane zhvillohet në 2 qershor, në kujtim të 2 dhe 3 qershorit të vitit 1946, datë kjo kur u zhvillua referendumi, gjatë të cilit italianët shprehen vullnetin e tyre për formën e qeverisë që do t’i jepnin vendit të tyre, mes Monarkise dhe Republikës.

Top Channel