Italia kërkon ekstradimin e shqiptarit

02/06/2010 23:20

Drejtësia italiane kërkon të ekstradojë një shtetas shqiptar që jeton në Angli për një krimin të cilin ai thotë se nuk e ka kryer.

Të gjitha mediat britanike kanë publikuar sot historinë e Edmond Arapit i cili akuzohet për vrasjen e Castillo Marcelos ndodhur në Tetor 2004 dhe është dënuar në vitin 2006 me 16 vite burg në mungesë.

Emigranti shqiptar ka paraqitur në gjykatë një sërë provash të cilat vërtojnë se në kohën kur ka ndodhur krimi, ai ishte duke punuar në një pub në zonën ku banonte.

Gjithashtu 29 vjeçari shqiptar thotë se gjatë viteve 2000 deri 2006 ai nuk ka patur mundësi udhëtimi jashtë Britanisë së Madhe.

Arapi i martuar me një shtetase angleze, baba i tre fëmijëve i ka apeluar drejtësisë italiane dhe asaj britanike  nëpërmjet BBC-s që t’i jepet fund këtij tmerri të vërtetë duke e lënë atë dhe familjen e tij të jetojnë të qetë.

Në mbrotje të emigrantit shqiptar është angazhuar edhe organizata “Fair Trials International”.

Jago Russell, shefe ekzekutive e kësaj organizate, ka deklaruar se Edmond Arapi nuk ka patur asnjë lloj njoftimi se ai është dënuar në Itali për vrasje duke mos patur asnjë të drejtë për të mbrojtur veten se ai nuk ishte në Itali kur ndodhi krimi.

“Kjo padrejtësi flet për veten e saj. Unë mund ta provoj 100% që ditën kur ndodhi krimi unë isha duke punuar në Angli”, ka thënë Arapi gjatë intervistës në BBC.

Gjykata e Ekstradimeve në Londër lejoi ekstradimin e Edmond Arapit drejt Italisë. Do të jetë Gjykata e Lartë ajo që do të vendosë gjatë këtij muaji për fatin e mëtejshëm të këtij proçesi.

Ai do të arrestohej vitin e shkuar në  aeroportin e Gatuikut, kur po kthehej prej pushimeve në Shqipëri pasi ndaj tij ishte lëshuar një fletarrest ndërkombëtar.

Top Channel