Lady Diana është vrarë?

01/06/2010 21:50

Princesha e Uellsit Lady Diana mund të jetë vrarë pasi ajo planifikonte të publikonte fakte se disa zyrtarë të lartë britanikë ishin të përfshirë në tregëtinë e minave.

Kjo pistë e re rreth vrasjes së saj është hedhur nga njëri prej juristëve më me emër në Britaninë e Madhe i quajtuar Michael Mansfield QC. Avokati Mansfield i cili mbrojti Mohamed al-Fayed, babain e të dashurit të princeshës, Dodi al-Fayed, gjatë hetimit për vrasjen ka deklaruar për herë të parë se Diana kishte një ditar në të cilin ishin shkruar të dhëna për njerëz të përfshirë në prodhimin e minave tokësore.

“Të gjithë e kujtojnë Dianën për shqetësimin e saj rreth minave. Po ashtu të gjithë ne e dimë rolin e Britanisë në tregtinë e armëve, në vecanti atë të minave. Për këtë cështje princesha kishte planifikuar një udhëtim në Kamboxhia pas atij në Angola dhe ngritjen e një instituti për këtë cështje”, ka deklaruar Michael Mansfield. Duke treguar detaje te reja të panjohura deri më tani, Michael Mansfield thotë se një numër i madh minash prodhohen në Britani dhe se një person shumë afër Dianës i ka treguar atij se ajo po përgatitej t’i ekspozonte ata të cilët ishin të përfshirë në këtë tregëti.

Gjithashtu ai deklaroi gjatë një festivali në Uells se një kuti me dokumenta që përmbante informacione të rëndësishme është zhdukur. Sipas avokatit Mansfield ai nuk e di se cfarë kishte në atë kuti, por i është treguar se brenda saj ndodhej ditari me të dhëna rreth tregëtisë së armëve apo korrespondenca mes saj dhe familjes mbretërore. Duke përfunduar deklaratën e tij, Mansfield tha se ai besonte që aksidenti i Parisit ku mbetën të vdekur Pirncesha Diana dhe Dodi al Fayed ishe më shumë se një aksident i thjeshtë.
 

 

Top Channel