Eurobondet, qeveria i dha monopolin dy bankave

01/06/2010 08:55

Ndërsa emetimi i bondeve sovrane të Shqipërisë në euro duket se po shkon drejt harresës, problemi i radhës për qeverinë shqiptare duket se qëndron në faktin se marrëveshja që ka nënshkruar me dy bankat konsulente për emetimin e tyre, mbart një klauzolë ekskluziviteti, e cila e ndalon atë të hyjë në negociata me banka të tjera vendëse apo të huaja për marrje borxhi.

“Republika bie dakord që Joint Lead Managers do të jenë të vetmet palë të përfshira për të përmbushur shërbimet ose realizuar veprimin ose rihapjen ose çdo propozim të ngjashëm me veprimin dhe republika nuk mban apo angazhon palë të tjera të ndryshme për marrjen e borxhit në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, pa marrë pëlqimin me shkrim paraprak të menaxherëve”, thuhet në marrëveshjen e nënshkruar me JP. Morgan dhe Deutsche Bank, dy gjigandët ndërkombëtarë që morën përsipër t’ua prezantonin investitorëve bondet shqiptare, por që në përfundim, asnjë bond nuk u arrit të shitej.

Qeveria mund të tentojë të hapë negociata me banka të tjera për marrje kredish tregtare, por këto dy banka, sipas marrëveshjes, kanë ekskluzivitet në negociata deri në fund të këtij viti.

Marrëveshja nuk i ngarkon dy bankat me ndonjë pagesë, në rast dështimi, i cili në fakt ndodhi. Ekskluziviteti i tyre mund të anulohet, por për këtë, qeveria shqiptare duhet të paguajë dëmet e këtyre bankave deri në një masë prej 300 mijë eurosh.

Top Channel