LSI: Kuvendi të vendosë për fatin e kutive

30/05/2010 08:50

Kuvendi është autoriteti përgjegjës, i cili duhet të vendosë për “fatin” e kutive të votimit të zgjedhjeve të shkuara parlamentare. Ky është qëndrimi që shpreh sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, në një prononcim për “Shqip”.

Sipas përfaqësuesit të partisë, e cila është aleate e Partisë Demokratike, qëndrimi ndaj fletëve të votimit nuk mund të jetë i shkëputur nga tërësia e qëndrimit ligjor që duhet mbajtur gjatë hetimit parlamentar ndaj gjithë procesit zgjedhor.

Në këtë kuadër, Rama thekson se është komisioni hetimor, vendi ku mes palëve duhet të vendoset për modalitetet e transparencës, duke përfshirë edhe çështjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të shkuara.

“Prandaj insistoj që së pari duhet të nisë nga puna komisioni hetimor parlamentar, pasi aty do të duhet të diskutohet objekti i punës së tij, aty do të duhet synuar të arrihet kompromisi mes palëve, aty do të duhen të fiksohen edhe modalitetet e punës së komisionit”, thekson sekretari i përgjithshëm i LSI-së.

Top Channel