Largohen ekspertët e Brukselit

28/05/2010 08:15

Ekipi prej 5 ekspertëve të kryesuar nga zv.shefja e kabinetit të komisionerit Stefan Fule, Jana Sindelkova, dje në orën 15.00 janë larguar nga Shqipëria për në kryeqytetin europian.

Sot në Bruksel ata do të raportojnë para komisionerit Fule dhe dy krerëve të grupeve parlamentare të PPE-së, Joseph Doul dhe grupit socialist, Martin Schultz.

Takimi mësohet do të zhvillohet sot paradite në selinë “Altiero Spinelli” të Parlamentit Europian në Bruksel.

Të mërkurën në mbrëmje, delegacioni i ekspertëve të Bashkimit Europian, që drejtohet nga zv.shefja e kabinetit të komisionerit për zgjerimin, Jana Katarina Loliç Shindelkova, një zyrtar i Drejtorisë së Zgjerimit, dy përfaqësues të grupeve të Partive Popullore dhe Socialiste dhe një përfaqësues i Këshillit Europian, kanë zhvilluar një takim me të gjithë ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian në Shqipëri, ku ka marrë pjesë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Withers.

Në sy gjatë takimit ka rënë mungesa e përfaqësuesit të Presidencës së BE-së, përkatësisht ambasadorit të Spanjës, Manuel Montobio.

Gjatë ditës së parë të qëndrimit në Tiranë, ekspertët e Brukselit janë takuar me Kryeministrin Sali Berisha, takim që është zhvilluar në zyrën e këtij të fundit dhe me liderin e opozitës, Edi Rama, me të cilin takimi është mbajtur në Bashkinë e Tiranës.

Nga takimet mësohet se ende ka ngelur e pazgjidhur “nyja gordiane” e fletëve të votimit, për të cilat Berisha nuk pranon të lëshojë “pe”, duke theksuar se duhet zbatuar Kodi Zgjedhor për djegien e tyre.

Top Channel