Ekspertet e BE-së mbërrijnë në Tiranë

26/05/2010 22:50

Ekipi negociator nga Brukseli ka mbërritur në Tiranë.( UPDATE )

Delegacioni përbëhet nga Jana Sindelkova, zv/shefe e kabinetit të Stefan Fule, e cila merret me Ballkanin, Terkel Petersen i cili mbulon Shqipërinë në Sekretariatin e Këshillit të BE-së si dhe dy këshilltarët e kryetarëve të grupeve parlamentare në Parlamentin Europian, Rob Van De Uoter dhe Jesper Haglynd. Burime pranë Komisionit Europian treguan për Top Channel, se këtij grupi, gjatë takimeve me palët në Tiranë, i bashkangjitet dhe Helmut Lohan, kreu i delegacionit të BE-së. “Ky grup i parë i cili pritet të qendrojë dy ditë ka për qëllim vetëm mbledhjen e qendrimeve të të dyja palëve përderisa në darkën 5-orëshe të Strasburgut nuk u arrit të bisedohej për të gjitha detajet”, rrefyen burimet konfidenciale për Top Channel. Ndërkohë përfaqësuesi i Komisionit të Venecias, i cili parashikohet të përfshihet në proçesin e negociatave, sipas këtyre burimeve, “do të mbërrijë në Shqipëri në një kohë të dytë, nëse do të jetë e nevojshme ekspertiza tekniko-ligjore”. Asnjë prej personave që përbëjnë këtë dërgatë të Brukselit në Tiranë nuk është ekspert i mirëfilltë ligjor, por ata janë njohës mjaft të mirë të zhvillimeve politike në Shqipëri. Në orën 19 ekspertët europianë u futën në zyrën e kryeministrit Berisha duke dalë prej andej pas dy orësh. Rreth orës 21:00 ata udhëtuan drejt zyrës së kreut të opozitës Edi Rama, në Bashkinë e Tiranës. Nuk ka asnjë informacion mbi çfarë është biseduar, pasi palët deklaruan një pakt të bërë që më parë në Strasburg, për të mos publikuar asnjë nga bisedat e zhvilluara, si nga anëtarët e delegacionit ashtu edhe zyrat respektive të liderëve politikë në Tiranë.

Top Channel