Thirrë, tuneli hapet për herë të dytë

19/05/2010 08:05

Ministria e Transporteve njoftoi dje zyrtarisht se tuneli i Thirrës në autostradën Rrëshen-Kalimash do të hapet për qarkullim të pjesshëm më 21 maj, në orën 10:00 të mëngjesit, ndërkohë që tuneli verior do të vijojë të jetë i bllokuar dhe punimet në të do të vazhdojnë.

“Ministria e Punëve Publike dhe Transportit njofton të gjithë përdoruesit e autostradës Durrës-Morinë, se më datë 21.05.2010, galeria jugore e tunelit të Thirrës, në segmentin Rrëshen – Kalimash, vihet përfundimisht në shfrytëzim të trafikut publik”, thuhet në një komunikatë për shtyp.

Ashtu siç ndodhi vitin e kaluar, tuneli do të hapet me sens të alternuar, me ndryshimin e vetëm se në vitin 2009 u hap përkohësisht vetëm tuneli verior ndërsa kësaj here, do të hapet vetëm tuneli jugor. I vetmi dallim duket se qëndron në faktin se qeveria kësaj here ka vendosur të mos organizojë festime për përurimin e hapjes së dytë të autostradës, që i kushtoi shqiptarëve më shumë se 820 milionë euro në tre vitet e fundit.

Autostrada u përurua fillimisht si e përfunduar më 26 qershor 2009. Tuneli verior u hap për qarkullim gjatë orëve të ditës pavarësisht se pjesa qendrore e tij nuk ishte betonuar ende. Në tetor, qarkullimi u bllokua pa afat për shkak se pjesa e pabetonuar e tunelit verior dhe trysnia e krijuar nga punimet në tunelin jugor, e bënë situatën të rrezikshme.

Në nëntor, në tunelin jugor ndodhi një shembje masive prej disa dhjetëra metrash, e cila i kushtoi taksapaguesve shqiptarë rreth 30 milionë euro shtesë. Në ditën e vet më të mirë, në këtë rrugë qarkulluan 12 mijë makina sipas zyrtarëve të Ministrisë së Transporteve. Mesatarja vjetore mbetet e pandryshuar në 2-3 mijë makina në ditë. Që të bëhet rentabël, qarkullimi në këtë segment duhet të rritet me 5-7 herë nga niveli aktual.  

Top Channel