Spitali i Kukësit vuan mungesën e ujit të pijshëm

17/05/2010 08:40

Me fillimin e stinës së verës ka nisur në Kukës kriza e furnizimit me ujë të pijshëm, një krizë që përsëritet prej shumë vitesh.

Mungesën e ujit të pijshëm nuk po e vuajnë vetëm qytetarët, por edhe spitali civil i Kukësit. Ndërhyrjet e paligjshme në tubacionin kryesor të ujit të pijshëm kanë bërë që të pakësohen prurjet dhe të bjerë presioni i ujit.

Personeli i repartit të infektivit tregon se mungesa e ujit ka nisur të ndjehet, ndonëse ende nuk jemi në pikun e vapës. “Vjen vetëm pak minuta në ditë dhe ne detyrohemi të mbajmë ujë me kova për të mbajtur mjediset në funksion”, thotë një sanitare e repartit, duke shtuar se vetëm pavijonet e kateve të para arrijnë të mbushin ujë të mjaftueshëm, pasi uji nuk arrin në katet e dyta e të treta. Dhjetëra të sëmurë që trajtohen në spital marrin ujë nga shtëpitë e tyre.

“Nëse do të vizitosh dikë në spital, silli më mirë një bidon me ujë të pijshëm”, thotë me ironi një i sëmurë. Drejtues të spitalit janë sensibilizuar në mënyrë të përsëritur për gjendjen, veçanërisht tani në prag të verës së nxehtë, kur shtohet edhe rreziku i shpërthimit të ndonjë epidemie. Në tre-katër vitet e fundit, çdo përpjekje për eliminimin e ndërhyrjeve të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit ka qenë e pasuksesshme.

Qindra familje në zonën e aksit kanë hapur aq shumë vrima në tubin kryesor, sa siç duket e kanë bërë të pariparueshëm. Nisur pikërisht nga kjo situatë, ku ligji nuk është në funksion, pasi askush nuk rrezikon ta zbatojë atë e të dërgojë fajtorët para drejtësisë, është parë e udhës të ndërtohet një ujësjellës i ri me vlerën 3.5 milionë euro, i cili ka nisur në fund të vitit të shkuar dhe pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.

Top Channel