Fier, prefektura, premtime për zhvillimin e infrastrukturës

17/05/2010 08:45

Prefekti i Fierit, Bujar Hasaj, premton ndërhyrje në një sërë investimesh në infrastrukturë, shkolla dhe shëndetësi.

Deklarata është dhënë pas njohjes me projektet e të gjitha njësive të qeverisjes vendore në shkallë qarku, si dhe pas njohjes së projekteve të ndërhyrjes së qeverisë. Investimet publike në infrastrukturën rrugore, ujësjellës, arsim, kulturë, shëndetësi etj, do të jenë prioritet i programit të këtij viti në njësitë e qeverisjes vendore të Qarkut Fier.

Kreu i institucionit të prefektit, Bujar Hasaj, ka thënë se të treja rrethet e qarkut do të marrin investime, por më shumë do të përfitojë Rrethi i Fierit. Sipas Hasaj, investimi më i rëndësishëm është ndërtimi i “By Pass”-it, që do të lidhë autostradën e papërfunduar Lushnjë-Fier dhe atë Levan-Vlorë.

Kurse një moment i rëndësishëm i investimeve do të jetë përmirësimi i godinave shëndetësore dhe arsimore, kryesisht në zonat rurale. “Janë të shumta investimet që do të realizohen gjatë këtij viti. Është programuar që infrastruktura rrugore të jetë më kryesorja. Kemi parashikuar ndërtimin e rrugëve rurale, si dhe të akseve të rëndësishme, përmend këtu “By Pass”-in”, ka thënë prefekti i Fierit. Realizimi i investimeve për vitin e kaluar shkon në një masë prej 95% dhe pritet që kjo masë të përmbushet edhe gjatë këtij viti, pavarësisht se shumë investime janë lënë përgjysmë.

Top Channel