Mallakastër, ujësjellësi shton sasinë e klorit

16/05/2010 08:35

Një javë pas “shpërthimit të epidemisë enigmatike në Rrethin e Mallakastrës situata është përmirësuar.

Nga disa dhjetëra persona që kërkonin ndihmë mjekësore në fillim të javës, në këtë fundjavë numri i tyre ka rënë ndjeshëm. Zyrtarisht burimet e spitalit civil të Ballshit tregojnë për “Shqip” se gjatë fundjavës numri i personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore ambulante ishte 12 gjatë së premtes dhe rreth 12 të tjerë gjatë së shtunës.

“Edhe pacientët e dy ditëve të fundit kanë pasur të njëjtat simptoma me pacientët që u përfshinë në valën e epidemisë e që u trajtuan në spitalin e Ballshit, Fierit, në fillim të javës. Pacientët e shtruar kanë pasur shqetësime pastro-intestinale dhe temperaturë të lartë”, ka sqaruar drejtoresha e spitalit, Luljeta Bregasi.

Sipas saj, shqetësimi aktual i personelit mjekësor në Ballsh lidhet me faktin se pacientët e paraqitur ditët e fundit në spital nuk kanë konsumuar ujë për disa ditë me radhë. I njëjti konstatim është bërë edhe nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik.

“Të gjithë pacientët e ardhur gjatë së premtes dhe së shtunës janë marrë në pyetje lidhur me ujin që kanë konsumuar. Ata kanë treguar se që nga e marta, kur informacioni për ujin “e helmuar” u përhap, ata nuk kanë konsumuar më ujë. Por çuditërisht, ditë më vonë ata janë prekur nga epidemia. Në këto kushte vendoset në dyshim origjina e epidemisë”, sqaruan mjekët.

Edhe pse për një javë pacientët e paraqitur në spital nuk kanë qenë në gjendje kritike për jetën, disa prej tyre kanë qëndruar për ditë me radhë në spital për të marrë shërbim të specializuar, si dhe për të qenë nën vëzhgimin e mjekëve. “Veç mjekimeve disaorëshe, ka pasur edhe nga ata pacientë që kanë qëndruar për më shumë se tri ditë në spital”, sqaroi drejtoresha e spitalit të Ballshit. Nga ana tjetër, ende autoritetet shëndetësore lokale nuk janë njohur me përgjigjen përfundimtare të analizave.

Edhe në Drejtorinë Rajonale të Shëndetit Publik në Fier nuk ka mbërritur një përgjigje zyrtare e analizave lidhur me mostrat e ujit, marrë për ditë me radhë në qytetin e Ballshit. Ndërkohë që nuk ka ende një përgjigje zyrtare se çfarë rrezikoi dhe rrezikon akoma komunitetin e Mallakastrës. Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve ka sqaruar se ka marrë masa duke rritur sasinë e klorit në ujë. Drejtori Shyqo Metaj ka sqaruar se “nuk e kemi ndërprerë ujin për asnjë ditë, por kemi dyfishuar rritjen e sasisë së klorit”. Nga drejtori i ujësjellësit mësohet se akoma nuk është lejuar konsumimi i ujit nga qytetarët. Ai nuk këshillohet të pihet deri në një njoftim tjetër zyrtar.

Derisa autoritetet përgjegjëse të deklarojnë shkakun e epidemisë, si dhe të konfirmojnë se uji nuk paraqet rrezik, banorët e Mallakastrës do të jetë nën alarm. Një javë më parë, brenda një ditë-nate, më shumë se 500 qytetarë u përfshinë në një valë epidemie, kryesisht me shqetësime pastro-intestinale.  

Top Channel