Vëllezërit Miliband, në garë për laburistët

15/05/2010 16:45

Gara për drejtimin e partisë laburiste britanike është kthyer në një garë mes vëllezërish. Edward Miliband, ish-ministër i Energjisë, ka konfirmuar sot kandidaturën e tij, vetëm pak ditë pasi zbriti në fushë vëllai i tij i madh David, ish-ministër i Jashtëm.

“Të gjithë më pyesin se për kë do të bëjë tifozllëk mamaja jonë”, ka deklaruar sot Ed, duke njoftuar kandidaturën në një fjalim në selinë e “Fabian Society”.

Milibandët, të cilët janë vëllezërit e parë që i kanë shërbyer në një kohë qeverisë, janë për momentin kandidatët e vetëm për drejtimin e partisë laburiste, pas dorëheqjes së njoftuar nga ish-kryeministri Gordon Brown.

Edward ka deklaruar sot se partia duhet të jetë “e hapur dhe e ndershme” dhe se qëndrimin në opozitë duhet ta shfrytëzojë si një mundësi për t’u rinovuar.

“Kemi humbur kontaktin me vlerat që na bënin një forcë progresiste”, ka pohuar ish-ministri i Energjisë, duke ia atribuar humbjen luftës në Irak dhe skandalit të rimbursimit të shpenzimeve të deputetëve.

Top Channel