Meta: Zgjidhjet, vetëm përmes dialogut

14/05/2010 11:40

Numri dy i qeverisë shqiptare, Ilir Meta deklaroi se mazhoranca ka vullnet që të marrë në konsideratë kërkesat e opozitës, në mënyrë konstruktive midis transparencës dhe Kushtetutës.

Kryediplomati shqiptar, në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun bullgar,Nickolay Mladenov, i cili ndodhet për vizitë në Tiranë, deklaroi se situata e krijuar nuk është në interes të vendit dhe kredibilitetit të tij.

“Ka hapësira ligjore mes transparencës dhe Kushtetutës, për t’i dhënë përgjigje kërkesave të opozitës. Kam shprehur keqardhjen për grevën e urisë, por kjo lloj proteste nuk është instrumenti i duhur për të zgjidhur cështjen”, u shpreh Meta, duke theksuar se janë të gjitha mundësitë dhe instrumentat për të zgjidhurproblemet e krijuara në mënyrë civile dhe konstruktive.

Zëvendëskryeministri shtoi se Shqipëria është një vend demokratik dhe protestat janë të lira, por zgjidhjet, sipas tij, vijnë vetëm përmes dialogut.

Edhe ministri i Jashtëm Bullgar Mladenov i bëri thirrje liderëve politikë shqiptarë që të gjejnë zgjidhje për situatën përmes dialogut parlamentar.

Kryediplomati i një vendi anëtar të BE-së, sic është Bullgaria, theksoi se një marrëveshje politike do të tregojë shenjën e pjekurisë së një vendi, që ka marrë angazhime në kuadër të integrimit.

Top Channel