Malaj: Hetimi i zgjedhjeve, celësi i kompromisit

14/05/2010 08:55

Arben Malaj, njëri prej deputetëve grevistë të Partisë Socialiste, thotë se hetimi i materialeve zgjedhore mund të jetë pikënisja e një kompromisi më të gjerë për një paketë reformash.

“Hetimi i materialeve zgjedhore mund të jetë një pikënisje e një kompromisi, i cili patjetër duhet të jetë i shoqëruar me një paketë të rëndësishme reformash për Kodin Zgjedhor, për sistemin e drejtësisë, për reformat që e forcojnë shtetin ligjor”, ka deklaruar Malaj në një intervistë për “Shqip”.

Sipas tij, gjetja e një zgjidhjeje për zhbllokimin e ngërcit politik në vend është thelbësore për vijimin e proceseve integruese të vendit.

“Gjetja e një zgjidhjeje për të kthyer normalitetin politik në vend dhe për të rritur besueshmërinë te zgjedhjet dhe institucionet e dala prej tyre është bërë imediate, për të mos penguar asnjë ditë proceset integruese të vendit”, ka pohuar Malaj.

Ai ka shtuar më tej se, greva e urisë synon jo radikalizimin e një krize politike, por ofrimin e një zgjidhjeje për ngërçin politik dhe standardet e demokracisë shqiptare.

Top Channel